Lajmet e funditVendi

Pavarësisht hezitimit, stafi shëndetësor mund të vaksinohet edhe më tutje

Mjekët të cilët refuzuan të marrin vaksinën
“AstraZeneca” dhe ata të cilët nuk ishin në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë,
do ta kenë një mundësi të dytë.

Stafi shëndetësor do të vazhdojë të jetë
primare si kategori për t’u vaksinuar, përkundër që një gjë të tillë e patën
edhe me ardhjen e kontingjentit të parë në Kosovë.

Derisa kanë bërë me dije se kontingjenti i
radhës me vaksina kundër COVID-19 do të vijë javën e ardhshme, nga Ministria e
Shëndetësisë kanë thënë se personeli shëndetësor mund të vaksinohet pavarësisht
arsyeve që kanë pasur për të mos u vaksinuar deri tani. “Numri i punonjësve
shëndetësorë të vaksinuar deri tani është rreth 5.000. Kontingjentet e radhës
të vaksinave kundër COVID-19 do të vijnë në fillim të majit dhe në vaksinim do
të përfshihen grupet e parapara sipas Planit të vaksinimit, duke u dhënë
mundësi vaksinimi edhe punonjësve shëndetësorë, të cilët për arsye të ndryshme
nuk kanë mundur të vaksinohen gjatë fazës së parë”, thuhet në përgjigjen e
Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga rreth 15 mijë persona, staf shëndetësor sa
janë në Kosovë, deri tani sipas MSH-së, vetëm rreth 5 mijë prej tyre janë
vaksinuar. Fajin për këtë Oda e Mjekëve të Kosovës ua ka lënë institucioneve
shëndetësore, duke thënë se nuk kanë dhënë informacione të mjaftueshme për të
qartësuar se kush mund të vaksinohet. Pleurat Sejdiu, nga kjo odë, thotë se
ishte dashur që Instituti i Shëndetit Publik e profesionistët e kësaj lëmi me
qenë më të qartë.

“Disa prej tyre kanë edhe logjikën e vet,
pikërisht për këto është dashtë që Instituti dhe profesionistët e lëmit do të
duhej të dilnin me një shpjegim që do të duhej të ishte edhe popullatës”, tha
Sejdiu.

Hana Xhemajli, hulumtuese e politikave globale
shëndetësore, thotë se nuk duhet të ketë hezitim nga askush për të marrë
vaksinën. Por, sipas saj në të ardhmen institucionet shëndetësore do të duhej
të punonin për një fushatë sensibilizuese më aktive.

“Është e vërtetë që është pritur më shumë nga
IKSHPK-ja që të dalë me një fushatë sensibilizuese që të dalë me një fushatë
për informimin e qytetarëve për vaksinimin, metodën e vaksinimin efektin sa
mund të zgjasë”, është shprehur Xhemajli.

Kosova deri tani ka pranuar vetëm një
kontingjent nga mekanizimi COVAX me 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZeneca”
shumica e të cilëve janë administruar.

Në një përgjigje nga COVAX-i, duke mos dhënë
shumë detaje vetëm kanë treguar se Kosova ka përfituar 100 mijë doza të
“AstraZenecas”, mbi 70 mijë prej të cilëve do të vijnë gjatë majit. Sipas këtij
mekanizmi, Kosova do të përfitojë edhe rreth 100 mijë vaksina të tjera të
kompanisë “Pfizer”, që pritet të vijnë deri në qershor.

“Në këtë dokument do të shihni se Kosovës i
janë ndarë 100.800 doza të AZ (shkurt-maj) dhe 100.620 të ‘Pfizer-BioNTech’
(prill deri në qershor). Për një azhurnim të datave të dorëzimit, ne sugjerojmë
të kontaktoni qeverinë tuaj”, thuhet në përgjigje të COVAX-it drejtuar KOHËS.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odës së
Mjekëve, deri tani askush nga të vaksinuarit me vaksinën e “AstraZeneca” nuk ka
shfaqur ndonjë efekt anësor apo ndonjë problem shëndetësor.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button