BotaLajmet e fundit

Omicroni dhe gripi stinor me ngjashmëri që hutojnë, ekspertët shëndetësor tregojnë simptomat

Në kohën kur në shumë vende të botës është duke u përhapur varianti Omicron i koronavirusit dhe në të njëjtën kohë edhe virusi Influenca A, që njihet si grip stinor, shenjat klinike të të dyja viruseve do t’i hutojnë ekspertët shëndetësorë, përfshirë edhe ata në Kosovë, thotë epidemiologu Isuf Dedushaj.

Me gjithë dallimet që kanë Omicroni dhe gripi stinor, ngjashmëritë e shenjave klinike të tyre janë mjaft të përafërta, thotë Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, kur flet për vaksinat kundër gripit stinor, shkruan se “…në shumë raste, nuk është e lehtë klinikisht të dallosh gripin sezonal nga infeksione të tjera të frymëmarrjes, ku bën pjesë edhe [sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri] COVID-19, ku për diagnozë përfundimtare kërkohet një test diagnostik”.

Dedushaj: Omicroni dhe gripi stinor me shenja klinike të përafërta

Epidemiologu kosovar, Isuf Dedushaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata epidemiologjike me COVID-19, edhe pse aktualisht është e qetë në Kosovë, ka tendenca të përkeqësohet.

Numri i madh i të infektuarve me grip stinor – mbi 15 mijë – ka krijuar sfidë të dyfishtë për ekspertët shëndetësorë, thotë ai.

“Shenjat klinike të gripit A [gripit stinor] janë shumë të ngjashme dhe të përafërta me koronavirusin. Kështu që do të kemi edhe një problem më shumë me gripin sezonal, për arsye se ai manifestohet me temperaturë deri në 40 gradë. Manifestohet me dhembje të kyçeve, heqje të barkut, me dhembje të muskujve dhe në nyje. Kështu që janë të ngjashëm [me koronavirusin], por te gripi nuk ka nevojë për oksigjeno-terapi”, thotë Dedushaj.

Mulliqi-Osmani: Diagnoza laboratorike për diferencim të koronavirusit nga gripi

Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe e pensionuar në Kosovë, thotë se ngjashmëritë e variantit Omicron me gripin stinor, janë mjaft të mëdha në aspektin klinik.

“…sepse, ka edhe rrjedhje hunde, ka edhe ënjtje të mukozave, të rrugëve respiratore, nuk ka gjithherë temperaturë, ka dhembje, sikurse që ka edhe me virus të gripit, ka dhembje të muskujve sikurse edhe me virus të gripit. Prandaj, diferencimi më i mirë dhe më i preferuari do të ishte me diagnozë laboratorike. Por klinikisht, zakonisht, është mjaft vështirë që krejtësisht dhe me siguri 100% të diferencohen”, thotë Mulliqi-Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, me testet që aktualisht kanë laboratorët publikë dhe privatë në Kosovë, mund të diagnostikohet infeksioni me virusin SARS Cov-2, që e shkakton sëmundjen COVID-19, por në këta laboratorë nuk mund të bëhet diferencimi i shtamit [varieteti brenda llojit] gjenetik të virusit, rrjedhimisht edhe varianti Omicron.

Megjithatë, shton Mulliqi-Osmani, testimi për SARS Cov-2, ndonëse nuk mund t’i diferencojë varietetet, mund të konfirmojë infektimin ose jo me koronavirus.

Në këtë mënyrë, sipas saj, testimi i heq mëdyshjet nëse infeksioni është me koronavirus apo me grip stinor.

Gjithashtu, thotë ajo, testimi mund të bëhet edhe për virusin Influenca A apo gripin stinor, në mënyrë që të verifikohet diagnoza.

Mostrat nga testet PCR për koronavirus, të cilat dërgohen në laboratorë për analiza, mund të tregojnë nëse varianti që shkakton infeksionin duket si Omicron.

Për zbulimin e rasteve me Omicron përdoret një teknologji e posaçme.

Për të konfirmuar se një rast i dyshuar është Omicron, duhen analiza të plota gjenetike, që zgjasin nga katër deri në pesë ditë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar IKSHPK-së me pyetjen se a mund të sigurojë Kosova kapacitete për t’i detektuar variantet e reja te koronavirusit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Testimi i domosdoshëm

Sipas të dhënave që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor, nga 15,786 raste me grip, 2,498 janë cilësuar si infeksione respiratore akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut.

Epidemiologu Dedushaj thotë se marrë parasysh se numri i personave të evidentuar me grip stinor është i madh dhe numri më i madh i tyre, sipas tij, është diagnostikuar përmes shenjave klinike, atëherë mund të ngrihen dyshime eventuale nëse në mesin e tyre ka persona me ndonjë variant të virusit SARS Cov-2, duke mos e përjashtuar as Omicronin.

Ai apelon te punonjësit shëndetësorë që t’i orientojnë pacientët për testim.

“Patjetër duhet të testohen. Mund të testohen edhe për gripin A, por edhe të bëhet një [test] PCR, që të shikohet nëse bëhet fjalë për Omicronin. Tash, nëse është pozitiv në PCR, sigurisht që Instituti i Mikrobiologjisë do të bëjë çmos që t’i zgjedhë mostrat dhe t’i dërgojë në Institutin Robert Koch [institucioni qendror shkencor në fushën e biomjekësisë në Gjermani] dhe të verifikojmë nëse është paraqitur Omikroni”, thotë Dedushaj.

A ka mundësi “të përvidhet” Omicroni?

Mulliqi-Osmani thotë se asnjë nga rastet e deritashme, të evidentuara me grip stinor, nuk ka përfunduar me fatalitet dhe, sipas saj, kjo i ul dyshimet për gjasat e përhapjes së Omicronit në Kosovë – së paku deri më tash.

“Ndoshta mund të themi në mënyrë hipotetike, për momentin, se ndoshta ka pasur mundësi të përvidhet [Omicroni]. Por, kjo nuk do të ngelte pa pasoja, sepse një rast na përvidhet, ai do ta përhapë tjetërkund dhe diku do të shpërthejë ndonjë rast me simptomatologji”, thotë Mulliqi-Osmani.

Kosova ka dërguar në fillim të dhjetorit 72 mostra në një laborator në Gjermani, përmes një programi të Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për të parë nëse në to ka prani të variantit Omicron ose jo.

Nga të gjitha mostrat e dërguara në Gjermani, asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv në variantin Omicron të Covid-19. Këtë e ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi.

“Do të ishte fatkeqësi e madhe nëse i lirojmë ne masat tërësisht dhe mendojmë se ne s’kemi Omicron këtu dhe s’kemi sëmundje të Covidit”, thotë Latifi.

Sipas të dhënave të këtij instituti, të publikuara më 22 dhjetor, në Kosovë vazhdojnë të jenë mbi 300 raste aktive me koronavirus.

Varianti Omicron i koronavirusit është identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, në muajin nëntor.

Qysh atëherë është përhapur në dhjetëra vende të botës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar Omicronin si variant shqetësues.

Omicron ka më shumë mutacione sesa varianti aktual dominues Delta dhe nuk është ende e qartë se sa efektive janë vaksinat ekzistuese kundër tij.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button