Sport

Tifozët e Holandës e pushtojnë Budapestin para ndeshjes me Republikën e Çekisë

Mijëra tifozë holandezë e kanë mbushur sheshin kryesor në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, në prag të ndeshjes mes Holandës dhe Republikës së Çekisë në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian 2020.

Holanda dhe Republika e Çekisë do të kërkojnë një vend në çerekfinale të Euro 2020, kur të përballen sonte në Puskas Arena në Budapest, në orën 18:00.

Pak orë para takimit, sheshi kryesor në kryeqytetin hungarez, “Sheshi i Heronjve” është mbushur me tifozë dhe flamuj holandez, duke marrë një pamje plotësisht ngjyrë portokalli.

Mijëra holandezë do ta përkrahin ekipin e tyre kombëtar jashtë stadiumit në Budapest në një ekran gjigant në sheshin e kryeqytetit hungarez.

Fituesi i këtij takimi do të jetë ekipi i tretë që e arrin çerekfinalen e turneut të verës, pas Danimarkës dhe Italisë.

Holanda është në formë jetësore, pasi i fitoi të gjitha tri ndeshjet në fazën grupore, duke i shënuar hiç më pak se tetë gola gjatë asaj kohe.

Çekia, ndërkohë, e arriti fazën e eliminimit direkt vetëm përmes vendit të tretë, si njëra nga katër ekipet e renditura më së miri në vendin e tretë.

Skuadra e Frank de Boer e arriti fazën e eliminimit direkt në Euro për herë të parë që prej vitit 2008. Atë botë ishin eliminuar në rrethin pasues.

Ky do të jetë takimi i tretë mes Holandës dhe Çekisë në Euro, që prej shpërbërjen së Çekosllovakisë.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button