Sport

Shaqiri dhe Xhaka synojnë ta frymëzojnë Zvicrën drejt çerekfinales së parë në Euro përballë kampiones botërore

Dyshja shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do të kërkojnë ta frymëzojnë Zvicrën drejt çerekfinales së parë në Kampionatin Evropian 2020, kur të përballen me kampionen e botës, Francën, sot në Bukuresht.

Zvicra dhe Franca do të përballen në 1/8 e finales në Arenën Kombëtare në Bukuresht në orën 18:00, raporton Gazeta Express.

Pas një barazimi me Uellsin dhe një humbjeje të thellë me Italinë në dy ndeshjet e para në Grupin A, Zvicrës iu desh pak frymëzim për ta arritur 1/8 e finales në ndeshjen e fundit në grup kundër Turqisë dhe atë e gjeti të Shaqiri.

Anësori nga Kosova i shënoi dy prej tri golave të triumfit 3:1 kundër turqve dhe e dërgoi Zvicrën në fazën e eliminimit direkt si njëra prej katër ekipeve të renditura më së miri në vendin e tretë.

Shaqiri dhe xhaka synojnë ta frymëzojnë zvicrën drejt çerekfinales së parë në euro përballë kampiones botërore

Franca, ndërkohë, e fitoi Grupin F dhe u kualifikua si lidere pa ndonjë telashe të theksuar.

Shaqiri dhe kapiteni Xhaka do të kërkojnë ta shkruajnë historinë e futbollit zviceran duke e dërguar kombëtaren helvetike në çerekfinale të një evropiani për herë të parë në historinë e saj.

Në Euro 2016 Zvicra e eliminua në 1/8 e finales pasi u mposht nga Polonia në penallti.

Por Zvicra nuk e ka mposhtur kurrë Francën në një ndeshje garuese, duke i pësuar dy disfata dhe duke barazuar katër herë. Takimi i fundit mes tyre ishte barazimi pa gola në fazën grupore në Euro 2016.

Xhaka, i cili është duke e udhëhequr Zvicrën si kapiten për herë të parë në një turne, shpreson që përvoja do t’i ndihmojë atij dhe bashkëlojtarëve të tij ndaj kampiones botërore.

“Është një natë e madhe për ne, për të gjithë Zvicrën. Ne mund ta shkruajmë historinë vetëm nëse e japim 120% nga vetja”, tha Xhaka para ndeshjes.

Fituesi i këtij takimi do të përballet me fituesin e takimit Kroaci – Spanjë, i cili zhvillohet po ashtu sonte në orën 21:00.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button