Sport

Të dielën, derbi i parë prej atyre që vendosin kampionin

Te Prishtina po e vlerësojnë ndeshje të vitit atë me kampionen në fuqi, Dritën.

Ekipi nga kryeqyteti do të udhëtojë drejt Gjilanit për ta ndalur serinë e Dritës, që nuk di për humbje në tetë ndeshjet e fundit.

Në fakt disfatën e fundit në kampionat skuadra e Dritës e ka pikërisht nga Prishtina. Para dy muajve Prishtina triumfoi në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të xhiros së 21-të, me rezultatin 2:0. Kjo edhe ishte humbja e fundit për Dritën, e cila prin në tabelë me 64 pikë të mbledhura pas 29 ndeshjeve të luajtura. Prishtina është e treta me 60 pikë, derisa skuadra e Ballkanit mban vendin e dytë me 61 pikë të grumbulluara.

Dueli i xhiros së 30-të ndërmjet Dritës dhe Prishtinës zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan të dielën prej orës 15:00. Ky është derbi i kësaj xhiroje. Prishtina në derbi futet pas një serie prej katër ndeshjeve pa humbje dhe vetëm rezultati pozitiv e mban në luftë për titullin e kampionit.

“Mendoj që kjo është ndeshja e vitit për ne. Duke pasur parasysh formën e mirë që e kemi kaluar në këtë gjysmëstinor, besoj dhe shpresoj që kjo ndeshje do të jetë qershia mbi tortë për ne dhe do të na shpërblehet i gjithë mundi dhe puna e mirë që e kemi bërë së bashku, me një rezultat ta favorshëm”, është shprehur sulmuesi i Prishtinës, Alban Shillova.

Prishtina nuk di për humbje përballë Dritës në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ku ka shënuar tri fitore e tri barazime. Prishtina këtë vit u tregua superiore ndaj Dritës pasi e mposhti në ndeshjen e Superkupës dhe e eliminoi nga Kupa e Kosovës në 1/8 e finales.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, por shpresojmë në një rezultat pozitiv. Ndeshje e cila do të vendosë shumë për vazhdimësinë e kampionatit. Shpresojmë ta vazhdojmë ecurinë pozitive ndaj Dritës edhe të dielën. Por do të jetë ndeshje mjaft e fortë. Atmosfera dhe forma e mirë e ekipit besoj se është arma më e fortë e Prishtinës”, ka shtuar mesfushori i Prishtinës, Qëndrim Zyba.

Te Drita po shpresojnë që t’i japin fund këtij superioriteti të Prishtinës.

Drita nuk do ta ketë sulmuesin Kastriot Rexha që tashmë e ka mbyllur sezonin para kohe për shkak të lëndimit.

Të dielën në të njëjtën kohë do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Skuadra e Ballkanit e pret në shtëpi Gjilanin, që nuk ka ambicie por ka ekip të fortë. Ballkani synon ta fitojë këtë ndeshje që mos të dorëzohet në luftën për titullin e kampionit. Skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi në këtë përballje futet pas dy fitoreve rresht derisa Gjilani vjen pas humbjes nga shtëpi që e pësoi nga skuadra e Llapit.

“Është një ndeshje e fortë me një ekip cilësor. Mirëpo ne jo vetëm këtë ndeshje, por edhe të gjitha tjerat deri në fund të sezonit synojmë t’i fitojmë”, ka thënë mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi.

Ndërkohë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Llapi e pret ekipin e Trepçës ’89. Si Llapi ashtu edhe Trepça ’89 po luftojnë për t’i ikur zonës së barazhit. Llapi është i pesti në tabelë me 36 pikë, një më shumë se Trepça ’89 që zë vendin e gjashtë. Skuadra nga Podujeva në këtë takim futet e motivuar pas kualifikimit në finalen e Kupës së Kosovës, trofe që po synon ta fitojë për herë të parë.

“Jemi të motivuar dhe të gatshëm për të vazhduar me rezultate të mira”, tha shkurt trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Kjo xhiro do të hapet të shtunën me dy ndeshje që startojnë prej orës 15:00. Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj do të zhvillohet derbi rajonal ndërmjet Drenicës dhe Feronikelit. Si Drenica ashtu edhe Feronikeli këtë sezon nuk kanë pasur rezultate të mira dhe po luftojnë t’i ikin pjesës së rrezikshme të tabelës. Drenica është e teta me 33 pikë, një më pak se Feronikeli që zë vendin e shtatë në tabelë. Ndërkohë në Podujevë do të luhet dueli i dy skuadrave të fundit në tabelë, Arbërisë së Dobrajës dhe Besës së Pejës. Arbëria është e nënta në tabelë me 27 pikë, 10 më shumë se Besa që renditet e fundit por që nuk di për rezultat pozitiv në katër ndeshjet e fundit.

Superliga – 30

E shtunë (15:00)

Drenica – Feronikeli

(Arbitra: S. Isufi, A. Ejupi, B. Hyseni, V. Ibërdemaj)

Arbëria – Besa

(Arbitra: Sh. Murtezi, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, L. Jashari)

E diel (15:00)

Drita – Prishtina

(Arbitra: G. Shala, F. Berisha, B. Selimaj, M. Ajeti)

Ballkani – Gjilani

(V. Kastrati, B. Morina, G. Hyseni, B. Jahmurataj)

Llapi – Trepça ‘89

(B. Kasumi, F. Jashari, H. Osmani, A. Halilaj)

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button