Lajmet e funditVendi

Vaksina nga COVAX s’pritet të arrijë as gjatë marsit, MSh-ja angazhohet për burime të tjera

Që nga muaji mars i vitit të kaluar, Kosova është në vendet e shumta të botës që po përballet me situatën e krijuar si pasojë e infeksionit nga virusi Sars CoV-2.

Përhapja e këtij virusi shkaktoi numër të madh të viktimave, poashtu shkaktoi edhe dëme të mëdha në shëndetësi e ekonomi në vend.

Bllokimi që ndodhi në gjithë botën nuk la pa prekur edhe shtetin e Kosovës.

Por edhe pse gjatë muajve të fundit shumë prej shteteve të tjera, si të rajonit por edhe më larg arritën të vaksinojnë shumicën e qytetarëve të tyre me vaksinat e llojit të ndryshëm anti-COVID, në Kosovë ende s’është arritur që të vaksinohet asnjë qytetarë.

Madje disa prej mjekëve arritën që gjatë javës së kaluar të marrin dozat e para të vaksinës në Shqipëri, saktësisht në Kukës.

Lidhur me situatën e krijuar nga mungesa e vaksinës anti-COVID, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri është theksuar se vazhdojnë të jenë në pritje të konfirmimit nga COVAX për datën se kur do të alokohet kontingjenti i parë i këtyre vaksinave.

“Ministria e Shëndetësisë është në pritje të konfirmimit nga COVAX të datës kur do të alokojnë kontigjentin e parë të vaksinave”, u tha në përgjigjen e MSH-së për lajmi.net.

Gjithashtu u theksua se njëkohësisht angazhimi është edhe në burime të tjera të sigurimit të kësaj vaksine.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pati deklaruar se vaksinat anti-COVID do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt, por një gjë e tillë nuk u realizua.

Deklarimet e Zemajt lidhur me vaksinën anti-COVID u panë si të pasakta dhe dëshpëruese nga ana e qytetarëve.

Madje gjatë javës së kaluar Zemaj e bëri sërish një deklarim sa i përket furnizimi me vaksinën anti-COVID nga COVAX.

Zemaj tha se 33 mijë e 600 doza të vaksinës COVAX do të vijnë në Kosovë gjatë muajit mars.

“Gjatë muajit mars vijnë 33 mijë e 600 doza të vaksinave të COVAX-it”, tha Zemaj.

Pavarësisht këtyre deklarimeve të njëpasnjëshme të Zemajt sigurimi i dozave të vaksinës antiCOVID ende janë të diskutueshme në vend.

Çështja e mungesës së vaksinës madje u diskutua dhe sot në kuadër të Parlamentit Evropian. Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Europian, Viola von Cramon-Taubadel, ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të furnizojë Kosovën me vaksinat kundër COVID-19 sa më shpejt që është e mundur.

“Një problem shumë aktual është gjithashtu mungesa e furnizimit me vaksina në Kosovë. Kapacitetet e prodhimit këtu në Bashkim Europian janë aktualisht duke u rritur dhe kjo duhet të dërgojë në një furnizim shumë më të mirë për Kosovën sa më shpejt që është e mundur. BE-ja duhet ta mbështesë vaksinimin e shpejtë të personelit shëndetësor dhe grupeve të tjera më të rrezikuara nga COVID-19”, deklaroi ajo.

Ndryshe gjatë 24 orëve të fundit në vend janë konfirmuar edhe 836 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar kështu numrin e rasteve aktive në 12.934.

Si pasojë e këtij virusi kanë humbur gjithsej 1.813, ndërsa në Klinikën Infektive të QKUK-së nuk ka as edhe një shtrat të lirë për pacientët të cilët kërkojnë trajtim si pasojë e infektimit me këtë virus.

Ngjashëm është situata thuajse edhe në të gjitha klinikat e tjera ku po bëhet trajtimi i të prekurve me virusin COVID-19.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button