Lajmet e funditVendi

Shoqëria Civile reagon pas rekomandimit që të shtyhet procesi zgjedhor

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, ka rekomanduar që procesi zgjedhor të shtyhet për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.

Ndaj rekomandimit të bërë nga IKSHPK, ka reaguar shoqëria civile në Kosovë.

Analisti politik, Albert Krasniqi, thotë se analiza e IKSHP-së, tyre po i ngjanë një pamfleti partiak.

“Analiza “profesionale” e IKSHPK-së më shumë po i ngjanë një pamfleti partiak sesa një vlerësimi profesional. Nuk përmban asnjë të dhënë për të mbështetur rekomandimin për shtyrje të zgjedhjeve. Për më tepër, po bije në kundërshtim edhe me shifrat që një ditë më parë na i prezantojë Kryeministri për përmirësim të gjendjes me pandeminë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi në reagimin e bërë thotë se si mund të iu besohet parashikimeve të IKSHPK-së, kur muaj më parë është akuzuar nga Qeveria se ka bërë rekomandime të gabuara.

“Si mund t’i besojmë parashikimeve të IKSHPK-së për muajt e ardhshëm, e cila u akuzua nga kjo Qeveri se ka bërë rekomandime të gabuara për hapjen gjatë verës, si dhe ka llogaritur gabimisht që diaspora do të vije e vaksinuar?!

Sot, IKSHPK do të duhej të dilte me protokolle të detajuara se si të zhvillohet fushata e të organizohen zgjedhjet në kohë të pandemisë”, thotë mes tjerash ai.

Analisti Jusuf Thaçi ka thënë se zgjedhjet komunale në Kosovë nuk duhet të shtyhen, por duhet të mbahen në afatin e paraparë kushtetues/ligjor.

“Nuk mund të lejohet që i gjithë pushteti komunal (ekzekutivi dhe legjislativi) në Kosovë të mbetet pa legjitimitet. Ka kohë mjaftueshëm që deri në ditën e zgjedhjeve komunale (17 tetor 2021) situata me pandeminë në Kosovë të përmirësohet përmes masave të duhura anti-Covid, normalisht nëse partitë politike organizojnë fushatë zgjedhore në përputhje me këto masa (gjë që duhet ta bëjnë patjetër, nëse jo nga vetëdija e duhur, atëherë nga detyrimi ligjor)”, ka shkruar Thaçi.

Ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Thotë se “Para se me fillu me marrë seriozisht edhe profesionalisht këtë rekomandimin e IKSHPK-së për shtyrjen e zgjedhjeve, duhet me u qartësu disa çështje”.

“Së pari, kush dhe me çfarë motivi e ka kërku këtë vlerësim? Pse ky vlerësim po bëhet tash, më shumë se një muaj para zgjedhjeve? A nuk na u tha para pak dite se situata ka parametra të përmirësimit? A ka bërë IKSHPK-ja analizë mbi ndikimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit në rritjen e rasteve? A ka qenë problem fushata apo dita e zgjedhjeve, edhe pse cilido me njohuri minimale e di se problemi kryesor ka qenë fushata?”, thotë ai.

Cakolli pohon tutje së asnjë vend më nuk i shtyn zgjedhjet për shkak të situatës me pandeminë.

“Asnjë vend më nuk i shtyn zgjedhjet për shkak të situatës me pandeminë. Kosova s’ka pse të jetë i vetmi. Qytetarëve s’duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes në një periudhë kur dihet se me vaksinim dhe respektim të masave ka potencial të vogël të rritjes së rasteve. Në vend se të ketë konsultime mbi këtë rekomandim koti, duhet punë intensive për të përditësuar manualet për organizimin e zgjedhjeve në pandemi”, deklaroi ai.

Analsiti, Agron Demi thotë se s’ka asnjë arsye logjike te shtyhen zgjedhjet lokale.

Ai ka rikujtuar se kur insistohej të mbaheshin zgjedhjet më 14 shkurt, kanë qenë mbi 64 mijë raste pozitive me virus e ZERO vaksina.

“Sot, kur po kërkohet shtyerja e zgjedhjeve janë 18 mijë raste aktive me virus e janë administru mbi një MILION vaksina.

Kur më 14 shkurt kërkohej me të drejtë mbajtja e zgjedhjeve kritika ndaj pushtetit ishte se nuk po e menaxhon mirë pandeminë. Tash kur po kërkohet shtyerja e zgjedhjeve, partia në pushtet po mburret se si e ka menaxhu mirë pandeminë dhe se kemi shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon. Atëherë pse me u shty zgjedhjet?! Përse VV ishte partia e vetme që nuk u deklarua për shkurtim apo anulim të fushatës, por është për shtyerjen e zgjedhjeve?”, ka shkruar Demi.

“Nëse gjatë gjithë verës IKShPK ja ka huq me rekomandime, ashtu qysh tërthirazi tha dje Kryeministri, përse nuk po ja huq edhe rekomandimit për shtyerjen e zgjedhjeve?!

Anulimi i fushatës zgjedhore me prezencë fizike dhe respektimi i masave mbrojtëse në ditën e zgjedhjeve është i vetmi opsion”, ka shtuar tutje ai.

Ndryshe, presidentja Osmani ka ftuar në takim partitë politike më 13 shtator në orën 17:00 për të diskutuar rekomandimin e IKSHP-së dhe Taskë Forcës anti-COVID për ndikimin që zgjedhjet mund të kenë në situatën pandemike nëpër të cilën po kalon Kosova.

Task Forca e IKSHPK-së në letrën drejtuar presidentes ka thënë se rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor.

“Rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimet e qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën që IKSHPK-ja ia ka dërguar presidentes Osmani.

Zgjedhjet lokale janë planifikuar të mbahen më 17 tetor.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button