Lajmet e funditVendi

Selim Pacolli ishte dënuar dhe kishte paguar 1 mijë e 200 euro për mosdeklarim të pasurisë

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli më 16 shtator të 2019-ës ishte dënuar me 1 mijë e 200 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Deri te shpallja e aktgjykimit ndaj tij kishte ardhur pasi i njëjti gjatë seancës fillestare, e mbajtur në po të njëjtën ditë, e kishte pranuar fajësinë.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku thuhet se Pacolli gjobën ishte i obliguar ta paguajë në afatin prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në të kundërtën, thuhet se dënimi do t’i zëvendësohej në dënim me burgim, ashtu që një ditë burgimi do t’i llogaritej me 20 euro gjobë.

“Obligohet i akuzuari që t’i paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, si dhe në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej tridhjetë (30.00) €, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave shumën prej tridhjetë (30.00) €, në afat prej 15 ditësh, pasi ky aktgjykim të marr formën e prerë. Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet ne kontest te rregullt juridiko-civil”, thuhet në aktgjykim.

Aty bëhet e ditur se në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit, Selimi e kishte pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohej me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 19 qershor 2019. Ai kishte deklaruar se në atë kohë kishte qenë jashtë shtetit e se për shkak të neglizhencës, formulari i deklarimit të pasurisë ishte dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) dy ditë pas afatit, saktësisht më 2 prill 2019.

Pranimi i fajësisë thuhet se nuk ishte kundërshtuar nga prokurori, e më pas ishte aprovuar nga gjykatësi i rastit.

“Selim Pacolli është fajtor sepse në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, me pozitë nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ka vepruar kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1. të Ligjit 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ka qenë i detyruar ta deklaroj pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion përmes formularit për deklarimin e pasurisë, nga data 1 deri me 31 mars te vitit 2019 për periudhën 01 janar deri 31 dhjetor 2018, mirëpo i njëjti edhe pse ka qenë i informuar brenda afatit ligjor të njëjtin nuk e ka bërë në afatin e paraparë por e ka bërë me vonesë gjegjësisht me datën 02.04.2019.”.

Me këtë, sipas aktgjykimit, ai kishte kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar kandidaturën e Selimit për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR) në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Këtë e kishte bërë të ditur vet Selim Pacolli më 27 gusht të këtij viti, me anë të një postimi në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”. Aty thuhet se KQZ nuk e ka certifikuar kandidaturën e tij për shkak të aktgjykimit të lartpërmendur.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button