Lajmet e funditVendi

Pasaportat që hapin të gjitha dyert

Një njeri i zakonshëm mund të mbajë me siguri një pasaportë, ndoshta edhe dy nëse ka nënshtetësi të dyfishtë. Por janë disa pozicione pune të veçanta, si diplomacia, hetuesia ose politika, përmes të cilave mund të përfitoni dokumente udhëtimi që hapin më shumë dyer.

Më poshtë po rendisim disa nga pasaportat jo standarde që ekzistojnë.

Pasaportat diplomatike
Çfarë janë? Pasaportat diplomatike u jepet diplomatëve të shteteve dhe ambasadorëve të vendosur në vente tëhuaja.

Cilat janë përfitimet? Shpesh hiqet detyrimi për pajisjen me vizë, për të siguruar kalim të lehtësuar. Diplomatët shpesh gëzojnë edhe imunitet diplomatik. Ndërsa me raste, edhe familjarët e tyre mund të marrin pasaporta diplomatike.

Të veçanta: Në Mbretërinë e Bashkuar, ekziston një pasaportë e veçantë diplomatike, që mban vulën Shërbimi i Lajmëtarëve të Mbretëreshës. Ky është një grup elitar korrierësh, të cilët dërgojnë materiale diplomatike të klasifikuara, prej 800 vitesh.

Pasaportat e presidentëve dhe kryeministrave
Çfarë janë? Për të pasur pasaportat të nivelit më të lartë duhet të punosh shumë dhe të ngjisësh shkallët e politikës deri në majë, duke u bërë kryeministër apo president i një vendi. Këto janë pasaporta unike, një version krejt origjinal i pasaportave diplomatike. Presidenti amerikan madje ka të shkruar edhe profesionin mbi pasaportë.

Cilat janë përfitimet? Në pjesën më të madhe të rasteve, mbajtësi i këtyre pasaportave diplomatike “VIP”, as nuk e merr me vete në udhëtime, dhe nuk mban radhë nëpër dogana, për shkak se këtë e bëjnë zyrtarët. Gjithashtu kryeministrat dhe presidentët nuk paguajnë për pasaportën e tyre.

Pasaporta të tjera zyrtare ose speciale
Çfarë janë? Pasaportat zyrtare (siç quhen në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar), ose speciale (siç quhen në Kanada) u jepen senatorëve, deputetëve, zyrtarëve ushtarakë dhe nëpunësve të ndryshëm të qeverisë të cilët nuk janë diplomatë të mirëfilltë, por duhet të udhëtojnë drejt një ambasade të shtetit të tyre ose kanë një mision zyrtar.

Cilat janë përfitimet? Në letër, këto pasaporta nuk ofrojnë ndonjë përfitim të veçantë. Por në praktikë, ndodh ndryshe. Nëse ke një pasaportë të veçantë amerikane, nuk paguan për vizë edhe atëherë kur duhet të marrësh një. Këto pasaporta duhen përdorur me kujdes, pasi mund t’u hiqen në çdo moment personave që abuzojnë me to.

Dokumentet e udhëtimit të Interpolit
Çfarë janë? Këto dokumente u lëshohen ekskluzivisht nëpunësve të Interpolit, dhe prodhohen në dy formate të ndryshme: në formën e një libreze me një pasaportë elektronike dhe në formën e një karte identiteti. Në të dy rastet, dokumentet përmbajnë një mikorçip të integruar, ku ruhen informacionet personale të mbajtësit të tyre, si gjurmët e gishtërinjve, dhe një fotografi identike me atë të printuar në dokument.

Cilat janë përfitimet? Këto dokumente u futën për herë të parë në përdorim në vitin 2010, pas miratimit në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit. Ndjekja e kriminelëve nëpër botë nuk është punë e lehtë dhe këto dokumente janë projektuar për të mënjanuar procedurat buroktratike. Edhe pse Interpoli ka rreth 1000 të punësuar, nuk është e qartë sa prej tyre kanë një dokument të tillë.

Lejekalimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Çfarë janë? Anëtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetësisë dhe organizatave të tjera të ndryshme brenda OKB-së, mund të përfitojnë një dokument të tillë. Të futura në qarkullim fillimisht në vitin 1946, këto lejekalimet u bënë elektronike në vitin 2012. Ka dy lloje lejekalimi të OKB-së: blu dhe të kuqe, kjo e fundit për anëtarët e nivelit më të lartë.

Cilat janë përfitimet? OKB deklaron se mbajtësit e lejes së kuqe mund të përfitojnë “privilegje dhe imunitet diplomatik” kur udhëtojnë për çështje që lidhen me aktivitetin e OKB-së. Ndryshe nga “super pasaportat” e tjera, ky dokument nuk zëvendëson pasaportën kombëtare, por e plotëson atë. OKB instrukton të gjithë anëtarët e saj që t’i mbajnë gjithmonë me vete të dy dokumentet.

Termi “lejekalimi” – zyrtarisht “laissez-passer” mund të jetë përdorur për herë të parë në vitin 1414, kur Mbreti Henry V i Anglisë miratoi një ligj që e cilësonte si tradhti të lartë nëse një cenohej një person të cilit i ishte premtuar kalim i sigurt brenda vendit. Dokumente të ngjashme u përdorën gjatë Luftës I Botërore, për të siguruar kalim të sigurt për refugjatët nga zonat e luftimeve.

Personat që nuk kanë fare nevojë për pasaportë
Thuajse të gjithë anëtarët e familjeve mbretërore mbajnë pasaportat e tyre gjatë udhëtimeve, përveç mbretërve apo mbretëreshave. Në faqen zyrtare në internet të familjes mbretërore angleze thuhet se Mbretëresha Elizabeth II nuk mund të ketë një pasaportë, pasi të gjithë pasaportat britanike lëshohen “në emër të Madhërisë së Saj”, dhe kjo e bën të panevojshme që ajo t’i lëshojë pasaportë vetes. Po Papa? Si sovran i Shtetit të Vatikanit, Papa ka një pasaportë të veçantë të Selisë së Shenjtë. Por në vitin 2014, pak kohë pasi u zgjodh në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku ndërmori hapin e pazakontë dhe rinovoi kartën e identitetit dhe pasaportën argjentinase, duke udhëtuar si një qytetar i thjeshtë pa privilegjet që sillte pasaporta e Vatikanit.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button