Lajmet e funditVendi

Parlamenti Evropian përsërit thirrjen për njohjen e Kosovës

Kjo thirrje vazhdon të mbetet në raportet e
Parlamentit Evropian tash e sa vjet, dhe u përsërit edhe në raportin e fundit,
që u miratua në seancën plenare të së enjtes me 472 vota për, 165 kundër dhe 41
abstenime. Pos kësaj, PE-ja e ka përsëritur edhe thirrjen bërë vendeve anëtare,
që ta miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ajo që u miratua para një muaji në Komisionin
për politikë të jashtme, u konfirmua edhe nga i gjithë Parlamenti Evropian, në
seancën plenare të së enjtes: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme,
përderisa pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta
bëjnë këtë sa më parë. Kjo thirrje vazhdon të mbetet në raportet e Parlamentit
Evropian tash e sa vjet, dhe u përsërit edhe në raportin e fundit, që u miratua
në seancën plenare të së enjtes me 472 vota për, 165 kundër dhe 41 abstenime.
Pos kësaj, PE-ja e ka përsëritur edhe thirrjen bërë vendeve anëtare, që ta
miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por këto porosi nga Parlamenti Evropian nuk do
të duhej të entuziazmonin shumë qytetarët e Kosovës. Arsyeja është se rezolutat
e Parlamentit Evropian, ndonëse kanë fuqi politike, nuk janë obliguese për
vendet anëtare të BE-së. U pa kjo edhe në paraqitjen në debat të sekretares
shtetërore nga Portugalia, Ana Paula Zacarias, e cila vetëm përsëriti atë që e
thonë tash e tre vjet shtetet që e kanë kryesimin e BE-së, e kjo është: “Jemi
të vetëdijshëm për rëndësinë që liberalizimi i vizave e ka për qytetarët e
Kosovës dhe do të vazhdojmë të merremi me këtë çështje”.

Para votimit, në Parlamentin Evropian u
zhvillua një debat edhe për Kosovën, por edhe për tri shtetet e rajonit,
raportet për të cilat u votuan po ashtu.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin
Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se i ka kërkuar Qeverisë së re, në krye me
kryeministrin Albin Kurti, që të ketë përqendrim të plotë në dialogun me
Serbinë. Ajo në fjalimin e saj në Parlament ka thënë se “largimi nga dialogu”
nuk mund të jetë opsion as për Kosovën, e as për Serbinë.

“Parlamenti Evropian mbetet i bashkuar
fuqishëm krah popullit të Kosovës. Ata janë me shumicë të madhe në favor të
BE-së. Në fakt, asnjë popull në rajon nuk shpreh më shumë mbështetje për BE-në
sesa populli i Kosovës. Por kjo nuk është diçka që duhet të kuptohet nga ne si
e garantuar dhe ne duhet po ashtu të përmbushim obligimet dhe premtimet tona,
sidomos për liberalizimin e vizave. Unë ndaj frustrimin me qytetarët e Kosovës
për mungesën e liberalizimit të vizave”, ka thënë raportuesja për Kosovën, duke
e përsëritur ftesën për vendet anëtare të BE-së që në Këshill të marrin më në
fund vendimin për heqjen e vizave për Kosovën.

Von Cramon në një konferencë për media ka
shpjeguar në pika të shkurtra raportin e dërguar në Parlamentin Evropian për
Kosovën, për vitin 2019/20. Ajo ka shtuar se liberalizimi i vizave është një
çështje urgjente që duhet të zgjidhet sa më shpejt për qytetarët kosovarë.

“Kemi prezantuar draft-raportin në nëntor,
ndërsa tani e kemi prezantuar të plotë për dy vjet 2019/2020. Kemi pasur bashkëpunim
tejet të madh mes të gjitha grupeve nëpër takimet dhe e kanë përmbushur
raportin me bashkëpunimin e tyre. Kemi përcjellë mesazhin e artë për Kosovën
dhe integrimin e Kosovës, të ardhmen e saj. Ka ende probleme para nesh. Luftimi
i korrupsionit është i nevojshëm. Është punë që duhet të shtyhet përpara nga
Qeveria e re, që duhet të punojë për rend dhe ligj. Liberalizimi i vizave është
një çështje urgjente. Sot edhe një herë tjetër i kemi adresuar Parlamentit
Evropian se sa i nevojshëm është liberalizimi i vizave për kosovarët. Qeveria e
re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që
është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdonte në javët dhe muajt
në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së. Marrëveshja me
Serbinë është shumë e rëndësishme për integrimet evropiane”, ka deklaruar Von
Cramon.

Ajo në fund i ka bërë thirrje spektrit politik
në vend që ta zgjidhë edhe çështjen e presidentit sa më shpejt.

“Po ashtu shpresoj që të votohet presidenti i
ri, që duhet të ndodhë shumë shpejt dhe të mos ketë shkuarje nga zgjedhjet në
zgjedhje”.

Thirrje që Kosova ta zgjedhë presidentin, pasi
ka nevojë për qartësi politike, ka bërë gjatë debatit edhe komisioneri për
Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi. Ai ka thënë se presidenti i ri i Kosovës
duhet të zgjidhet pa vonesa. Varhelyi në seancën e sotme plenare të Parlamentit
Evropian ka thënë se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes pasiguri të tjera
politike në këto kohë sfiduese.

“Qytetarët e Kosovës kanë bërë që zëri i tyre
të dëgjohet nëpërmjet zgjedhjeve dhe një lidership i ri së shpejti do të jetë
në vend. Janë tri mesazhe kryesore që dua t’i bëj. E para, që është esenciale,
të kompletohet sa më shpejt përbërja e institucioneve të reja të Kosovës. Pas
formimit të Kuvendit dhe Qeverisë, Kosova duhet ta zgjedhë edhe presidentin e
ri pa vonesa. Kosova nuk mund t’i lejojë vetes më tepër pasiguri politike në
këto kohë sfiduese”, ka thënë ai, ndërkohë që ka shtuar se e mirëpret që
Lëvizja Vetëvendosje i ka prioritet çështjet si lufta kundër korrupsionit e
krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik e social, si dhe zhvendosja drejt
ekonomisë së gjelbër, që janë bazë e agjendës evropiane të Kosovës. “Me mandat
të fortë Qeveria e re ka mundësi të ofrojë këto reforma”, ka thënë ai.

Varhelyi ka shtuar se është esenciale që të
vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi. Ai ka folur edhe për ndihmën që BE-ja po e
jep për vendet e Ballkanit Perëndimor, për ta siguruar furnizimin me vaksina
kundër Covidit.

Parlamenti i ka miratuar raportet edhe për
Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Ka bërë thirrje që sa më parë të
nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. (Koha)

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button