Lajmet e funditVendi

Nikaj: Qeveria Kurti gjashtë muaj pas ende po bëhet gati ta fillojë punën

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë i kësaj partie, Bernard Nikaj në një intervistë për “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi, ka folur për Qeverinë Kurti, për rolin e PDK-së në temat e mëdha në vend, politikën e jashtme të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe përfaqësimin diplomatik të vendit.

Sipas Nikajt, Qeveria Kurti është ende duke u përgatitur për të nisur qeverisjen, pasi siç tha ai ka pasur plogështi në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin.

“Nëse shohim qeverisjen, ne ende jemi duke pritur që kjo qeverisje të filloj, krijohet një bindje e përgjithshme që Qeveria ende është duke u përgatitur të filloj sepse realisht nuk kemi parë asgjë nga qeverisja dhe kemi parë një plogështi në të tej përsëritur në marrjen e vendimeve të rëndësishme”, tha Nikaj.

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i PDK-së tha se vendimet e kësaj Qeverie nuk kanë të bëjnë me atë që është proklamuar.

“Nëse ju mendoni se ka një vendim ose një veprim rreth të cilit mund të diskutojmë, atëherë unë jam i gatshëm të diskutojmë, por realisht ende jemi në pritje të fillimit të një qeverisje. Veprimet që i kemi parë janë sporadike, janë margjinale që nuk kanë të bëjnë me një qeverisje që ka proklamuar një transformim shoqëror, politik, arsiomor e kulturor ndër vite. Ende jemi duke pritur që qeverisja të fillojë”, tha ai.

Bernard Nikaj, anëtari i kryesisë së PDK-së dhe sekretar për marrëdhënie me jashtë gjatë intervistës për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje e ka shumicën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Nikaj tha se nuk janë marrë vendime të rëndësishme e as nuk janë aprovuar ligje gjatë gjashtë muajve qeverisje.

“Megjithëse është një mazhorancë e paparë më herët, më pak se 10 ligje janë kaluar në Kuvendin e Kosovës, Kuvendi është mbledhur më shpesh për të ngarkuar e për të shkarkuar nëpër borde të ndryshme, sesa për të diskutuar a aprovuar ligje me rëndësi”, tha Nikaj për Telegrafin.

Ai shtoi se, “Ne nuk po shohim hapa që e përmirësojnë këtë gjendje tutje, Qeverisja nuk është për të gjetur fajtor, por për të gjetur zgjidhje”.

“Kjo qeverisje është e interesuar të gjej fajtor, e jo t’i ofrojë popullit zgjidhje”, thekson Nikaj.

Bernard Nikaj, anëtari i kryesisë së PDK-së dhe sekretar për marrëdhënie me jashtë gjatë intervistës për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

Tutje, ai shton se “kërkojnë nga Qeveria që t’i jap drejtim qeverisjes së vendit në të ardhmen. Çdo dështim për t’i dhënë qeverisjes drejtim, është dështim i kësaj Qeverie, pa marrë parasysh çka ka ndodh përpara”.

Ndër të tjera, Nikaj gjatë intervistës ka folur edhe për politikën e jashtme dhe procesin e emërimit të ambasadorëve si dhe për procesin e vaksinimit dhe menaxhimin me pandeminë në Kosovë. /Telegrafi

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button