Lajmet e funditVendi

Nënkryetarja e LDK-së: Do t’i rikthejmë votuesit, synojmë më shumë komuna në zgjedhjet lokale

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se rënien e kësaj partie e shkaktoi mungesa e komunikimit me elektoratit, si dhe përfshirja në koalicione qeveritare.

“Mendoj që rezultatin të cilin e ka shënuar
Lidhja Demokratike e Kosovës kohëve të fundit nuk ka qenë rezultat vetëm i
këtyre zgjedhjeve të fundit, ka qenë një rezultat i cili është akumuluar për
disa vjet sepse rënia ka qenë e vazhdueshme por që rënia më e madhe është
shënuar në zgjedhjet e fundit. Ka disa elemente të cilat mendoj mund t’i atribuohen
kësaj rënie sa i përket mbështetjes qytetare, një prej këtyre është që në të
kaluarën nuk është dëgjuar aq zëri i qytetarëve. Duke e fuqizuar lidhjet tona
me degët ose strukturën të cilën e kemi do të arrijmë me kuptuar më mirë se
cilat janë kërkesat e elektoratit në nivelin më të ulët, pra në nivel komunal e
të fshatrave. Ka munguar një komunikim i tillë, për të kuptuar më mirë cilat
janë kërkesat e qytetarëve”.

Ndërkaq sipas Mjekiqit, qëndrimi në
koalicionet e mëhershme nuk i kanë dhënë kohë dhe hapësirë Lidhjes Demokratike
të Kosovës që të reflektojë për problemet e brendshme.

“Gjithashtu në disa raste kemi qenë pjesë e
koalicioneve të ndryshme qeveritare pa qenë partia e parë në pushtet. Për shkak
të sistemit zgjedhor që ka Kosova çdoherë me përjashtime kërkohet që qeveria të
jetë e koalicioneve, por qëndrimi në koalicionet e mëhershme nuk i kanë dhënë
kohë dhe hapësirë Lidhjes Demokratike që të reflektojë për këto probleme të
ndryshme të brendshme që i ka pasur përfshi edhe komunikimin, sepse ndoshta nuk
e ka parë të nevojshme. Ndërkaq tani kur jemi në opozitë kemi më tepër kohë për
të reflektuar, analizuar cilat kanë qenë problemet tjera sepse ka edhe të tjera
dhe për ta rikthyer LDK-në në një afat të gjatë por me shumë vendosshmëri”, ka
shtuar ajo.

Por, Mjekiqi ka konsideruar se rezultati i
LDK-së në zgjedhjet nacionale nuk reflektohet edhe në ato lokale.

Ajo ka treguar besim që partia e saj në
zgjedhjet lokale do të rikthehet me synim fitimin edhe në shumë komuna tjera të
vendit.

“Ka një ndarje sa i përket rezultatit për
zgjedhje qendrore dhe rezultatit për zgjedhje lokale, pra nuk mund të themi që
rezultatin të cilin e kemi parë në nivel qendror do të reflektohet asisoj edhe
në nivel lokal sepse e kemi parë këtë në të kaluarën. Ne do të bëjmë përpjekjet
maksimale që të ruajmë ato komuna me të cilat kemi qeverisur deri më tani por përpjekjet
tona do të jenë më të vërtetë që të rikthejmë Lidhjen Demokratike të Kosovës
dhe natyrisht të synojmë edhe komuna tjera në të ardhmen sepse kjo nuk është e
pamundur” ka thënë ajo.

Për fund, Mjekiqi ka thënë se ka shpresë që
votuesit e humbur të LDK-së do të rikthehen të kjo parti pasi që ka shumë
individë brenda saj që gëzojnë mbështetje elektorale.

“Është pak herët, meqenëse siç e dini çështjet
kryesore me të cilat po merremi tani është fillimisht t’i analizojmë ato gjëra
të cilat kanë çuar deri te humbja në zgjedhjet e fundit. Shohim se çfarë është
me urgjencë sa i përket ristrukturimit, riorganizimit të partisë. Nuk mund të
them tani se kush do të jenë kandidatët, mirëpo këta kandidatë do të vijnë nga
komunat përkatëse, do t’i identifikojmë më së miri në nivelin më të ulët-lokal
sepse struktura ka njerëz të cilët kanë mbështetjen e elektoratit por që ndoshta
në të kaluarën nuk kanë ardhur në pah dhe duhet t’i nxjerrim këta individë
sepse ka një sentiment popullor që Lidhja Demokratike e Kosovës pavarësisht që
nuk e ka arritur rezultatin të cilin do ta ketë dëshiruar, prapë se prapë ka
një përkrahje qytetare dhe ka një shpresë që disa votues që na kanë ikur në të
kaluarën mund të kthehen”, ka përfunduar Shqipe Mjekiqi për EO.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button