Lajmet e funditVendi

NATO mbetet e përkushtuar për praninë e saj në Kosovë

NATO-ja ka përsëritur edhe në samitin e sotëm (14 qershor), përmes deklaratës përfundimtare, përkushtimin për vazhdimin e angazhimit në Kosovë dhe ka mbështetur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Bruksel është mbajtur samiti i vendeve anëtare të Aleancës Veri-atlantike, NATO, me prezencën edhe të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Mbetemi të përkushtuar për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe përmes KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja që kontribuon për një ambient të sigurt dhe stabilitet të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur edhe për përpjekjet e ndërtimit të kapaciteteve me organizatat e sigurisë së Kosovës. Çfarëdo ndryshimi në përbërjen e KFOR-it në Kosovë, do të bazohet në kushtet e jo në kalendar kohor”, thuhet në deklaratën e përbashkët të aleatëve të NATO-s.

Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në deklaratë thuhet se NATO-ja “mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet tjera me qëllim të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe u bën thirrje palëve që të shfrytëzojnë rastin dhe të angazhohen me besim të mirë drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”.

Në këtë deklaratë thuhet se “Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç është nënvizuar me historinë tonë të gjatë të bashkëpunimit dhe operacioneve”.

“NATO-ja mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj aspiratave euro-atlantike të vendeve të rajonit. Ne do të rrisim përpjekjet tona në rajon dhe të zgjerojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik në mënyrë që të mbështesim reformat, promovojmë paqen dhe sigurinë rajonale dhe t’i kundërvihemi ndikimit qëllimkeq të aktorëve të jashtëm”, thuhet në deklaratë.

NATO përmes deklaratës vlerëson edhe raportet me Serbinë si një partnere.

“Ne vlerësojmë partneritetin NATO-Serbi. Forcimi i raporteve do të ishte në dobi të Aleancës, Serbisë dhe tërë rajonit”, thuhet në deklaratë.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button