Lajmet e funditVendi

Nagavci pas kërkesës së SBASHK-ut: Kërcënimet duhet të marrin fund

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka kërkuar pagesë shtesë edhe për mësimin plotësues që parashihet të mbahet.

Nagavci e ka arsyetuar vendimin për mësim plotësues duke thënë se nxënësit kanë ngecur në mësime për shkak të situatës me COVID-19 dhe se për më tepër, një gjë e tillë parashihet me legjislacionin në fuqi.

Ndërkaq, ka fajësuar edhe SBASHK-un për rezultatet e ulëta në arsim teksa ka shtuar se ndikimet partiake dhe vendimet e nënshkruara në kohë fushatash e kanë degraduar arsimin.

“…gjendjen në arsim nuk e kemi aspak të mirë dhe jo rastësisht jemi në një situatë të tillë. Ndikimet partiake e vendimet e nënshkruara në kohë fushatash janë arsyeja kryesore që e kanë degraduar arsimin”, ka thënë ajo.

“Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marr fund”.

Nagavci ka thënë se pret që institucionet e arsimit të respektojnë vendimin për mësimin plotësues, ndërsa tendencat për ta penguar atë i ka quajtur dashakeqe.

“Si ministre e Arsimit pres që DKA-të, shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues për ata fëmijë që kanë pasur ngecje gjatë kësaj periudhe. Çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Ndërsa, ka cituar ligjin i cili thotë se ”në rast se vërehen mangësi në zbatimin e kurrikulumit, Ministria mund të kërkojë zbatimin e mësimit shtesë ose alternativ”, Nagavci ka shkruar se mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që vazhdojnë punën në kohë kur shumë i kanë humbur vendet e punës.

“Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune”, ka shtuar Nagavci.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button