Lajmet e funditVendi

Ministrja e Ekonomisë e përfaqësoi Kosovën për herë të parë në Forumin Ekonomik DELPHI në Shkup

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka përfaqësuar Kosovën në forumin ekonomik në Shkup, i cili i ka mbledhur udhëheqësit rajonal me më së shumti influencë për të adresuar sfidat me të cilat përballet rajoni.

Gjatë forumit janë identifikuar dhe adresuar sfidat kryesore për zhvillim, janë ndarë eksperiencat politike të vendeve të rajonit, dhe janë identifikuar veprimet e politikave për një ekonomi më afaruese dhe gjithëpërfshirëse.

Ministrja Rizvanolli ka mbajtur fjalimin përmbyllës në këtë konferencë, e cila është shprehur me shpresën që tani më kemi filluar periudhën post-pandemike, pas sfidës më të madhe botërore që nga Lufta e Dytë Botërore, sfidat si viruset dhe emisionet e CO2 dhe ngrohja globale, nuk njohin kufij dhe na ndikojnë të gjithë, prandaj Rizvanolli theksoi se është e domosdoshme që veprimet dhe zgjidhjet të jenë të përbashkëta dhe mund të arrihen vetëm përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar.

Tutje, Ministrja Rizvanolli ka shtuar që bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik në rajon është i domosdoshëm dhe duhet të përfshijë angazhimin e përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, angazhimin e mekanizmave të besueshëm të mbikëqyrjes dhe zgjidhjeve për të garantuar implementimin e marrëveshjeve, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit drejt anëtarësimit në BE.

Ministrja ka bërë thirrje që përtej bashkëpunimit ekonomik, udhëheqësit rajonal duhet të punojnë bashkërisht në sfidat, si emigrimi i individëve të aftë me krijim e mundësive të reja të punësimit, promovimin e lëvizshmërisë së punës, duke njohur kualifikimet e njëri-tjetrit dhe heqjen e lejeve të punës, si dhe bashkëpunim drejt demokratizimit, mbrojtjes së sigurisë juridike, sundimit të ligjit, rritjes së përgjegjësisë së qeverive dhe lirisë së mediave.

Gjatë vizitës në Shkup, përpos pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik, Ministrja Rizvanolli ka mbajtur takime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, ku janë diskutuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike.

Më pas, Ministrja Rizvanolli është takuar me Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë Veriore, Kreshnik Bekteshi, ku kanë diskutuar lidhur me zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe prioriteteve në sektorin e energjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button