Lajmet e funditVendi

Mijaçiq: Ujmani mund t’i pajtojë serbët me shqiptarët

Katër rekomandime kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për menaxhimin e ujit të Liqenit të Ujmanit, i cili është një nga zotimet e nënshkruara për normalizimin ekonomik nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit të kaluar në Washington.

Në mesin e rekomandimeve, Amerika i propozon palëve që të gjejnë pajtim për resurset ujore sikur ujdia Amerikë-Kanada për lumin Columbia.

“Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia t’i marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Columbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve, duke modeluar nevojat institucionale për ta mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan për Energji.

Studiuesi nga Zubin Potoku, Ljubisha Mijaciq, thotë se dokumenti i departamentit amerikan zor se sjellë rezultate konkrete në terren.

“Në kuptimin politik, dokumenti është i përdorshëm.Por në kuptimin e asaj që të jep ndonjë zgjidhje a rekomandim, natyrisht që jo. Dokumenti përmend konventat ndërkombëtare dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, por një gjë që nuk është përmendur është se këso çështje gjithnjë bazohen në ujdi bilaterale. Edhe parimi që përmendet aty për Lumin Columbia është marrëveshje bilaterale mes Kanadasë e Amerikës”.

Mijaciq konsideron se Liqeni i Ujmanit që serbët e quajnë Gazivodë, duhet të përmendet haptas për vlerën ujore që e ka.

“Kjo vlerë nuk zbulohet me kohë sepse më pas palët në bisedime e kuptojnë këtë vlerë dhe do ta forconin pozicionin e tyre në negociata në fushat ku ato janë të forta. Në këtë rast, Serbia është ajo që kontrollon marrjen e ujit në Gazivodë, kurse Kosova është ajo që e shfrytëzon ujin”.

Liqeni më i madh artificial i Kosovës që shtrihet pak edhe në Serbi, shihet si vend ku mund të arrihet paqja.

“Uji i këtij liqeni është baza materiale për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës .Madje edhe dokumenti e thotë se kjo është kërcënim i madh për ekonominë dhe stabilitetin ekonomik. Pa marrëveshje të gjithë janë humbës. Liqeni i Gazivodës për mua është fatura këmbyese për paqen. Situata është ideale, vendndodhja është perfekte, keni një blerës dhe një shitës. Kjo për t’u krijuar një mekanizëm tregu për pajtim ku të gjithë mund të fitojnë”.

Një rekomandim tjetër nga amerikanët është dhe formimi i një komisioni menaxhues e koordinues për lumin Ibër.

Lumi Ibër, që e mbushë me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi – më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me gjatësi të shtratit prej 82 kilometrash dhe prapë kthehet në Serbi.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button