Lajmet e funditVendi

Mbledhja e fundit e Qeverisë për këtë vit, të gjitha vendimet që u morën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur të 52-tën me radhë, njëherit të fundit për këtë vit, në të cilën ka aprovuar shtatë projektligje, gjashtë koncept dokumente, dhe vendime të tjera.

Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar, ishte Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, qëllimi i të cilit është organizimi dhe funksionimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe institucioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/l-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/l-058 dhe ligjin nr. 04/l-122, si dhe ligjin nr. 03/l-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 03/l-256. Si një prej objektivave kryesore që parashihet të arrihen me hyrjen në fuqi të këtij ligji, është rritja e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike, e cila shpenzohet gjatë financimit të fushatave të subjekteve politike dhe organizime tjera, të cilat realizohen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në Kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratua Projekt-kodi Civil i Republikës së Kosovës, i cili ka për qëllim rregullimin dhe harmonizimin e dispozitave ligjore të së drejtës civile. Ky projekt-kod është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe legjislacionit të Bashkimit Evropian, të aplikueshme në të drejtën civile.

Edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, mori aprovimin e Qeverisë, qëllimi i të cilit është rregullimi, organizimi, kompetencat dhe procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Në këtë mbledhje u miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Pas shqyrtimit, u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit.

Kabineti qeveritar, miratoi edhe Projektligjin për Ushqim, qëllimi i të cilit është përcaktimi i parimeve dhe kërkesave të përgjithshme për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshët, masave dhe procedurave lidhur me ushqimin dhe ushqimin për kafshët, si dhe përcaktimin e autoritetit kompetent për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshët.

Me vendim të Qeverisë, u miratua vendimi preliminar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK – sh.a), Zonat Kadastrale: Hade, Shipitullë, Palaj, Leshkoshiq, dhe Sibovc, Komuna Obiliq.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, u miratua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve, për të mundësuar harmonizimin e ndarjeve buxhetore të kategorisë paga dhe shtesa për muajin dhjetor për vitin 2021 dhe kategorive tjera të shpenzimeve.

Me vendim të qeverisë, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme  e datës 16.12.2021, për pagesën e orëve shtesë të punës gjatë 2021, në vlerë 513,872.89 € (pesëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy euro e tetëdhjete e nëntë cent), sipas listës së MPB për 766 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) zjarrfikësit e njësive nëpër Komunat e Kosovës.

Nga Qeveria është shfuqizuar vendimi Nr.03/117 i datës 22.01.2020, sipas të cilit Fidaim Sahitit, i vazhdohej mandati i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës edhe për 3 (tre) vjet, me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.

Me vendime të veçanta, në mbledhjen e sotme, Qeveria ka emëruar Fahrije Tërnava- Sheremeti, Sekretare të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mandat 4 vjeçar dhe Blerim Hasani, Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me mandat 4 vjeçar.

Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar edhe gjashtë koncept dokumente: 

–          Koncept-dokumenti për gjendjen civile, i cili përfshinë një përshkrim të hollësishëm të politikës dhe kornizës ligjore ekzistuese, të institucioneve shtetërore përgjegjëse për zbatim.

–          Koncept dokumenti për shtetësinë, i cili është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë për vitin 2021, konkretisht prioriteti strategjik, që ndërlidhet me harmonizimin e legjislacionit dhe avancimin e kapaciteteve institucionale në fushën e kontrollit, mbikëqyrjes dhe zbatimit të legjislacionit në fushën e shtetësisë. 

–          Koncept dokumenti për të huajt, është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë 2021, pjesë e Strategjisë për Migrim 2021-2025 gjithashtu lidhet me zbatimin e Acquis të BE-së, konkretisht me kapitullin 24.

–          Koncept dokumenti për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, i cili ka për qëllim përmirësimin e kornizës ligjore dhe rregullatore lidhur me zhvillimin dhe promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sektorin e energjisë elektrike, ngrohjes dhe transportit. Si rezultat synohet të bëhet nxitja e investimeve nga sektori privat në fushën e BRE.  

–          Koncept dokumenti për tokën bujqësore, i cili është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë për vitin 2021 konkretisht ndërlidhja me Qëllimin Strategjik Menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore (tokave bujqësore, pyjeve dhe ujit për ujitje)”. 

–          Koncept dokumenti për fushën e shpronësimit, i cili synon që përmes miratimit të ligjit të veçantë, të rregullojë zbrazëtirat ligjore të hasura gjatë zbatimit dhe do të rregullojë sfidat e reja të krijuara si rrjedhojë e problemeve të paraqitura në fushën e shpronësimit, duke ju dhënë zgjidhje problemeve me të cilat janë ballafaquar mbajtësit e të drejtave pronësore po ashtu edhe shfrytëzuesit në vendin tonë.

Me vendim të qeverisë, është miratuar edhe vendimi për themelimin e Task-Forcës për Mbrojtjen e Tregut të Republikës e Kosovës. Obligohet Task-Forca të vëzhgojë barrierat tregtare kundër Republikës së Ko­so­vës dhe të propozojë masa për mënjanimin e tyre. Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë obligohet të kryejë shër­bimet e sekretarisë së Task-Forcës.

Është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë Nr. 03/49 i datës 08.12.2020, i plotësuar dhe ndryshuar me vendimet Nr.18/19, i datës 14.07.2021 dhe Nr.13/36 i datës 22.09.2021, si në vijim: Pika 1 e vendimit bazë Nr. 03/49 i datës 08.12.2020, ndryshohet ashtu që shuma e avancit të hapur, pas arsyetimit të shpenzimeve për produktet e pranuara, reduktohet në 168,922.71 € (njëqind e gjashtëdhjetë e tetëmijë e nëntëqind e njëzet e dy euro, e shtatë dhjete e një cent), shumë kjo e cila regjistrohet në SIMFK me kodin përkatës brenda vitit fiskal 2021, dhe bartet në vitin fiskal 2022. Pika dy (2) e Vendimit te Qeverisë Nr. 13/36, dt.22.09.2021, ndryshohet/plotësohet ashtu që afati i mbylljes se avansit të hapur shtyhet deri me datën 31.01.2022.

Pikat tjera të Vendimit të Qeverisë Nr. 03/49 të datës 08.12.2020 përveç atyre të përmendura në këtë vendim, mbeten të pandryshuara.

Miratimin e qeverisë e ka marrë edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.11/08, dt.21.04.2021. Pika 2 e këtij vendimi ndryshohet / plotësohet si në vijim: Shtyhet afati i mbylljes së avansit duke zgjatur afatin deri më 30.04.2022.

Kabineti qeveritar ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e pikës së parë të vendimit Nr. 07/10, të datës 30.04.2021, me ç‘rast shuma e avancit të hapur, pas arsyetimit të shpenzimeve për produktet e pranuara reduktohet në 730,935.07 € (shtatëqind e tridhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë euro, e shtatë cent). Po ashtu plotësohet dhe ndryshohet pika e dytë e vendimit Nr. 07/10 i datës 30.04.2021, ashtu që afati i avancit të hapur zgjatet për një afat shtese prej 6 muaj. 

Po ashtu, është miratuar vendimi për aprovimin e metodës së pagesës direkte (pagesë e njëhershme) në formë të avancit tek UNOPS, në emër dhe për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë, në vlerë prej 2,116,998.47 € (dy milionë e njëqind e gjashtëmbëdhjetëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë euro, e dyzet e shtatë cent).

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Ndryshohet dhe plotësohet pika 2.128 e Vendimit Nr.02/50 i datës 23.12.2021, si vijon: Udhëzimi Administrativ Nr.02/2012 për Tarifat e Përkohshme Noteriale, mbetet në fuqi deri në datën e hyrjes në fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ për Tarifat e Noterëve, nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë. 

Në këtë mbledhje të Qeverisë është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej tre milionë euro (3,000,000.00€), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button