Lajmet e funditVendi

Kryetarja e re e Preshevës flet për prioritetet e qeverisjes dhe përfshirjen e Luginës në dialogun Kosovë-Serbi

Kryetarja e re e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani e cila dje u zgjodh drejtuese e njërës nga tri komunat shqiptare në Serbi, me gjithsej 22 vota pro dhe nëntë kundër, ka folur për Telegrafin në lidhje me prioritetet e qeverisjes së saj, ndryshimet që pritet të bëj ajo në krahasim me qeverisjen e kaluar dhe përfshirjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi.

Sinani theksoi se Komuna e Preshevës, para së gjithash është komunë e nëpërkëmbur dhe e pazhvilluar, prandaj sipas saj sfidat që e presin janë të mëdha.

“Sado me probleme të ngjashme, komuna jonë nuk është komunë e zakonshme si komuna e Surdulicës në Serbi, Kamenicës në Kosovë ose Krivo Pallankës në Maqedoninë Veriore. Komuna jonë është para së gjithash komunë e shtypur. Komunë e diskriminuar. Komunë e nëpërkëmbur. Kjo vetëm sepse shumica e qytetarëve e komunës sonë kanë etni, gjuhë, kulturë ose religjion tjetër. Ne jemi edhe komunë e pazhvilluar socio-ekonomikisht edhe e shtypur politikisht. Prandaj sfidat janë të mëdha”, tha Sinani për Telegrafin.

E para e Preshevës, ka thënë se Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut, jo vetëm si temë, por edhe të ketë përfaqësuesin e saj aty.

“Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, edhe si temë, edhe si prani nëpërmjet të zgjedhurëve të saj. Do të bashkërendohemi me autoritetet e Kosovës që të kontribuojnë në këtë drejtim”, tha ajo.

Kryetarja e sapo zgjedhur e Preshevës prioritetet e saj gjatë qeverisjes i ka ndarë në katër segmente, që kanë të bëjnë me reformat e brendshme dhe modernizimin e qeverisjes lokale.

“ Prioritetet e mia gjatë këtij mandati në Komunën e Preshevës janë reformat e brendshme dhe modernizimi i qeverisjes lokale, të bazuara edhe në katër segmente prioritare e themeltare si: Bizneset, Bujqësia dhe Blegtoria – përmes të cilave e rrisim punësimin dhe arrijmë zhvillimin, administratë për gjithë – administratë që qeverisë në mënyrë transparente dhe që i digjitalizon shërbimet për të garantuar barazi të qytetarëve në punësim e për ta luftuar nepotizmin, ujin dhe mbeturina – furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet e Preshevës dhe pastrim e menaxhim të mbeturinave për të gjitha lokalitet e komunës, hapësira publike – shtimi i parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për qytetarët”, theksoi ajo.

Për Telegrafin, Sinani është shprehur po ashtu se “qeverisja ime lokale nuk varet tashmë nga gishtat e teledirigjuar nga Beogradi”.

“Qeverisja jonë ka shumicë shqiptare dhe tanimë është nga komunat e pakta në vend që nuk kontrollohet nga pushteti autoritar i Aleksandër Vuçiqit dhe Ivicq Daçiqit. Kjo është e rëndësishme dhe dallim substancial. Natyrisht se Presheva është e gjithëve pa dallime përkatësie, por ajo qeveriset nga vendorët pa ndikime nga jashtë”, u shpreh ajo.

Ajo tha se qeverisja lokale që ajo do të drejtojë do të jetë reformatore në politika konkrete.

Sipas saj, ata do të jenë në transparent në menaxhimin e parasë publike , më profesionale dhe më efikase.

Po ashtu, siç tha Sinani, “në bashkëpunim me institucionet e tjera të Luginës, ajo do të orientohet edhe në dinamizimin e procesit politik për avancimin e të drejtave kombëtare dhe politike të shqiptarëve që po shpërfillet nga pushteti i Aleksandër Vuçiqit dhe që ishte lënë pas dore nga qeverisja e mëparshme lokale e Shqiprim Arifit”.

“Pushteti në Beograd në njërën anë nuk po implemeton tri marrëveshjet e miratuar prej tij dhe në anën tjetër e ka bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës. Do të angazhohemi me bashkësinë ndërkombëtare që të nxitet Beogradi për t’i implementuar zotimet dhe detyrimet e saj ndaj Luginës, si dhe të zhbllokojë dialogun për Luginën”, u shpreh ajo.

Gjatë ditës së djeshme në Kuvendin Komunal të Preshevës, Ardita Sinani është zgjedhur Kryetare e Preshevës me gjithsej 22 vota pro dhe nëntë kundër, ndërsa nënkryetar në Kuvendin e Preshevës është emëruar Ragmi Mustafa.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button