Lajmet e funditVendi

Kryeprokurori i Mitrovicës e mohon që Skender Qerimaj u lirua më 1 janar me urdhër të prokurores

Skender Qerimaj, 51-vjeçari nga Llausha e Skenderajt, po dyshohet se dje rreth orës 13:30, vrau gruan e tij, 48-vjeçaren, Lirije Qerimaj.

Skenderi i cili po dyshohet se shkrepi gjashtë plumba në drejtim të bashkëshortes së tij, ishte denoncuar në Polici nga kjo e fundit, më 1 janar të këtij viti.

Tani e ndjera kishte raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i cili megjithatë u lirua në procedurë të rregullt.

Prokurore kujdestare në këtë rast ishte Stojanka Kasaloviq.

Kështu ka konfirmuar për Sinjali, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani.

Mirëpo, Ujkani e mohoi që 51-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurores kujdestare.

Duke u referuar shkresave të lëndës, ai thotë se aty nuk është konstatuar fare që prokurorja Kasaloviq ka dhënë ndonjë urdhër për lirimin ose ndalimin e të dyshuarit.

Ai thotë se komunikimi mes palëve është zhvilluar me një ndërmjetësues, përkthyer, për të cilin pretendon se ka qenë zyrtar policor.

“Në bazë të shkresave të lëndës, që kanë ardhë pasdite, nuk ka konfirmim në shkresa të lëndës as që ka thënë me ndalu e as me e liru. Nuk ka konstatim.”

“Rasti është hapur në Polici, më vonë, sot kanë ardhë shkresat në Prokurori. Nuk ka konfirmim, në bazë të shkresave të lëndës, as që është ka urdhëru me ndalu, e as me e liru. Vetëm është hap rasti është konstatimi që fillimisht është hap rasti për dhunë në familje dhe më tutje nuk ka. Policia i ka kryer disa veprime, i ka marrë palët në pyetje krejt dhe kjo ka mbetë. Konstatim nuk ka (që ai është liruar në procedurë të rregullt), por në bazë të pasojave që kanë ndodhë më pas, po del që nuk është ndalu. As nuk ka konfirmim që është ndalu, as që është liru, as me u dëgju me urdhër të prokurorit, kush me u dëgju, çka me vepru. Vetëm ‘Dhunë në familje’. Palët janë intervistu, por nuk ka konstatim që ka thënë kjo (prokurorja) me u ndalu ose me u liru“, tha ai për Sinjalin.

“Komunikimi është bërë përmes një personi, një polici, polic a.., si duket polic, për shkak të gjuhës. Mirëpo, ma tutje, çka ka komuniku ai, nuk ka. Veç që komunikimi është bërë përmes filan personit, si duket është polic, nuk e di tash.”

“Jo, nuk ka urdhër të saj (prokurores), këtu është problemi. Në bazë të shkresave të lëndës, nuk ka urdhër të saj (prokurores) për lirim, as konstatim kurrkund, as cilat veprime me u ndërmarrë, veç u hap rasti dhe konstatim ma tutje nuk ka. Konstatim në kallëzim penal është që rasti i dërgohet Prokurorisë në procedurë të rregullt, e theksume në kallëzimin penal që e ka dërgu Policia”.

“Por, këtu nuk definohet, por ka qenë edhe festë. Nuk e di si ka qenë komunikimi, komunikimi mes Policisë dhe Prokurores, qysh është zhvillu. Çka është bisedu, nuk ka konstatim. Jo, (në shkresat e lëndës nuk ka konstatim që rasti të shkojë në procedurë të rregullt), veç që Policia dërgon në Prokurori kallëzim në procedurë të rregullt. Konstatimi, por nuk është konstatimi që ka thënë Prokurorja, se nuk ka, në bazë të shkresave të lëndës, se kështu se çka flitet është diçka tjetër. Po, detaje rreth rastit se si ka ndodhë, nuk mundem me dhënë, sepse është çështje e lëndës që do të trajtohet nga prokurorja e rastit.”

“Komunikimi me prokuroren është bërë përmes një personi tjetër, për shkak të gjuhës, Shkresat janë përpiluar prej policëve që janë kanë të kyçur në rast. E tash çka është zhvilluar aty… Komunikimi me të cilin e ka bë, nuk ka asgjë të shkruar. Prokurori është dashur ( të japë një urdhër për lirimin ose ndalimin), por për shkak të gjuhës, a ka thënë a jo, në shkresat e lëndës nuk konstatohet. Komunikimi është esenciale dhe duhet të sqarohet, mirëpo ajo që pritet jashtë letrave është diçka tjetër, por ajo që është e konstatuar, mungojnë konstatimet.”

Skender Qerimaj u vetëdorëzua dje në Stacionin Policor në Drenas, ku dorëzoi edhe armën e llojit pistoletë, me të cilën dyshohet se vrau gruan e tij, Lirije Qerimaj.

“E vrava gruan”, u ka thënë ai zyrtarëve policorë në momentin kur është vetëdorëzuar.

Ndërkaq, sot, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata themelore e këtij rajoni që të caktojë ndaj tij masën e paraburgimit prej një muaji.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button