Lajmet e funditVendi

Ish-zv.kryeministri serb: Vuçiqi po luan lojë të rrezikshme, ma kujton Millosheviqin

Në veri të Kosovës situata vijon të jetë e tensionuar, kur ka nisur java e dytë e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet me shtetin serb në çështjen e targave të automjeteve. Serbë të pakënaqur e të nxitur nga Beogradi, po protestojnë atje kundër vendimit të institucioneve të Kosovës. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë ende të bllokuara, ndërkaq njësitë speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në ato pjesë.

Radio Televizioni Kroat, HRT, përmes një debati të organizuar mbrëmë, i ka trajtuar zhvillimet e fundit në Kosovë. Zharko Koraq, ish -zëvendëskryeministër i qeverisë serbe në kohën e udhëheqjes së Zoran Gjingjiqit u shpreh se është paradoks që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka shkaktuar këtë krizë, duke thënë se veprimet e tij ia kujtojnë disi kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, transmeton Gazeta Express.
“Përvoja e gjithçkaje që ndodhi në ish-Jugosllavi na paralajmëron se duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Zharko Koraq. “Unë kurrë nuk mund të them se e gjithë kjo është një lojë politike që do të përfundojë në një lloj kompromisi”, shtoi ai.

Në një univers me njerëz racionalë, siç tha Koraq, Serbia do t’i lejonte automjetet me targa të Kosovës ta kalonin kufirin dhe kjo do t’i konvenonte Beogradit, transmeton Express.

“Ai nënshkroi se një marrëveshje do të arrihej pas pesë vjetësh, dhe pesë vjet kanë skaduar. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se zgjidhja e vetme është fillimi i vendosjes së targave të përkohshme në automjetet nga Serbia, ose se automjetet nga të dy vendet mund të kalojnë lirshëm pa asnjë formalitet kufitar. Paradoksi është se këtë krizë e ka prodhuar vetë Vuçiqi. Ai e ktheu me shkathtësi disi në favor këtë çështje dhe tha se Kosova nuk ka zbatuar dispozita të tjera të marrëveshjes së Brukselit. Kjo është e vërtetë, por unë me të vërtetë nuk shoh ndonjë arsye pse kjo nuk mund të zgjidhet në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, dhe kjo është që një automjet me targa të Kosovës të kalojë nëpër Serbi. Në një univers tjetër, ku njerëzit janë racionalë, Serbia do të përfitonte nga kjo. Shumë automjete nga Kosova kalojnë vetëm përmes Serbisë sepse Kosova ka shumë punëtorë që punojnë në Evropën Perëndimore. Ata do të blinin karburant”, tha Koraq.

Ai theksoi se problemi kryesor është presidenti serb, i cili sipas tij po luan një lojë të rrezikshme për Serbinë në planin afatgjatë.

“Problemi qendror është Vuçiqi, i cili shfaqet në zonën e tretë si mbrojtës i serbëve të rrezikuar. Sigurisht, ai nuk distancohet nga Milorad Dodiku me një fjalë të vetme. Në Mal të Zi, një krizë e madhe është hapur përmes Kishës Ortodokse Serbe. Dhe tani në Kosovë. Unë jam i interesuar të dij se kur Vuçiqi do të ndalojë së prodhuari kriza, të cilat duhet ta tregojnë atë si një lloj udhëheqësi serb, të paktën në këto zona përreth. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme në planin afatgjatë. Ata duan ta vënë në fron atë. Këtë ai gjithashtu e dëshiron, si një lloj udhëheqësi i një “bote serbe” imagjinare, e cila është plotësisht e paqartë se çfarë do të përfaqësonte në të vërtetë. Është e qartë se duke prodhuar ose mbështetur krizat në rajon, ai dëshiron të promovohet si mbrojtës dhe udhëheqës i madh i serbëve. Në rrethana të tjera, në një kohë tjetër, më duhet të them se ma kujton disi Sllobodan Millosheviqin”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri serb.

Duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë interesat e Rusisë në këtë çështje, Koraq tha se Rusia po nxit konflikt, duke përmendur faktin se ambasadori rus shkoi në kufirin me Kosovën.

“Është një skandal i qartë. Aty nuk pati asnjë ambasador tjetër të asnjë shteti. Kjo, së bashku me deklaratat e ministrit të Jashtëm rus, është mbështetje e madhe për Vuçiqin. Ata vazhdojnë të thonë se kjo krizë është shkaktuar nga Kosova. Nëse nuk do të kishte krizë, nuk ka gjasa që Rusia të ishte e pranishme në rajon, dhe mbi të gjitha në Serbi. Nëse nuk e ka prodhuar vetë, tashmë Rusia po e nxit konfliktin. Sjellja e Rusisë në këtë rast është e qartë dhe publike. Ata thonë: kriza u shkaktua nga Kosova, dhe të gjitha njësitë duhet të tërhiqen”, tha Koraq, i cili pyeti se pse Vuçiqi e kishte nënshkruar marrëveshjen pesë vjet më parë, nëse nuk kishte ndërmend ta zbatonte.

Nuk ka të ardhme me partinë që aktualisht është në pushtet në Serbi, beson Koraq, duke theksuar se Vuçiqi gradualisht po kthehet në politikën kriminale që ai e kishte mbrojtur.

“Ai ishte anëtar shumë aktiv i Partisë Radikale Serbe dhe Sekretar i Përgjithshëm i saj. Ai flet gjithnjë e më shpesh për rrezikimin e popullit serb. Sipas tij, populli serb është i rrezikuar në Bosnje, Mal të Zi, në veri të Kosovës”, tha ai.

Për vite me radhë, kushdo që hyn në Serbi nga Kosova me automjet, duhet t’i heqë targat e Kosovës dhe t’i zëvendësojë ato me ‘targa provuese’, të cilat kushtojnë rreth 5 euro. Dhjetë ditë më parë, Kosova filloi ta aplikonte të njëjtën masë për shoferët nga Serbia, dhe kjo i ka tensionuar marrëdhëniet edhe ashtu të këqija mes dy vendeve.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button