Lajmet e funditVendi

Kostreci nga VOA: Risia e urdhrit ekzekutiv të Biden është përfshirja e Shqipërisë

Gazetarja e “Zërit të Amerikës”, Keida Kostreci, ka thënë se urdhri ekzekutiv i SHBA-së që doli dje, përmes të cilit iu pezullohet hyrja personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, nuk është i ri.

“Pikat kryesore të përgjithshme janë ato që kanë të bëjnë me atë që do të thotë Ballkani Perëndimor për sigurinë kombëtare të SHBA-së, që ka të bëjë më stabilitetin e rajonit dhe shkallën e ekstremizmit. Ky urdhër është nxjerrë dhe është rinovuar nga presidentët amerikanë që nga viti 2001, për herë të parë nga ish-presidenti George Ë. Bush. Është diçka që është bërë rutinë çdo vit”.

“Ajo që është e re këtë vit është se presidenti Joe Biden e ka pasuruar dhe ndryshuar këtë urdhër ekzekutiv duke përfshirë Shqipërinë dhe duke përfshirë institucionet demokratike dhe korrupsionin si dy nga çështjet që mund të përbëjnë rrezik për SHBA-të, si dhe e ka theksuar fort faktin se në vazhdën e agjendës së presidentit Biden drejt demokracisë dhe në luftën kundër korrupsionit do të ketë sanksione ndaj personave në rajon që bëjnë shkelje të tilla që do të rrezikonin shkallën e demokracisë në rajon”.

Kostreci, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka treguar se ky dekret ka qenë aktiv dhe është rinovuar edhe gjatë kohës së ish-presidentit Donald Trump.

“Ky lloj urdhri ekzekutiv, që përqendrohet te siguria në Balllan, është rinovuar çdo vit që nga viti 2001, edhe gjatë kohës së presidentit Donald Trump. Ky urdhër rinovohet 90 ditë para se të skadojë dhe ishte bërë disi rutinë dhe tregonte më shumë për faktin që akoma stabiliteti nuk është vendosur plotësisht në Ballkan dhe çështjet nuk janë zgjidhur plotësisht”.

“Ajo që përbëu lajm ishte fakti se u përfshi Shqipëria dhe se ky urdhër ekzekutiv zgjerohet me luftën kundër korrupsionit dhe është më specifik sa i takon kësaj fushe, si dhe institucioneve demokratike. Theksi është më i fortë në këtë drejtim dhe duket se është në vazhdën e zhvillimeve të javës së kaluar ku administrata e presidentit Biden deklaroi se lufta kundër korrupsionit është një nga interesat jetike të Sigurisë Kombëtare në SHBA dhe ky është një mjet tjetër për të marrë masa ndaj politikanëve që përfshihen në korrupsion dhe nuk punojnë për institucionet demokratike. Nga njëra anë ka një vazhdimësie dhe nga ana tjetër ka elementet e reja që e vunë në qendër të vëmendjes këtë urdhër ekzekutiv që theksin e ka te anti-korrupsioni dhe te sanksionet që duhen ndërmarrë ndaj personave që prekin demokracinë”.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button