Lajmet e funditVendi

Këshilltari i Pacollit i reagon Haradinajt: Amerika kishte insistuar që Kosova t’i bashkohej “Minishengenit”

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Pressing të T7 rreth idesë së “Minishengenit”.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, mbrëmë në T7 e kishte pranuar se e kishte ndaluar Pacollin që të mos shkonte në takimin për themelimin e “Minishengenit”. Haradinaj madje kishte thënë se amerikanët s’kishin kërkuar që aty të shkohet doemos.

“Po. Nuk kemi mundur të marrim pjesë pa përfaqësimin e duhur. Unë nja dy fjalë i di. Nuk është se Amerika ka shprehur një qëndrim se duhet doemos të shkohet”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe nga Haradinaj, Zyberaj thotë se amerikanët kishin qenë insistues në kërkesën e tyre që Kosova të jetë pjesë e iniciativës që tashmë njihet me emrin “Open Balkan”, shkruan Express.

Zyberaj ka treguar se një insistim i tillë kishte ardhur nga Matthew Palmer, ish-i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë Zyberaj thotë se Haradinaj kishte refuzuar që Kosova t’i bashkohej një nisme të tillë, siç po refuzon kryeministri Kurti sot.

“Amerikanët kanë qenë insistues që të jemi pjesë e iniciativës që sot mban emrin “Ballkani i hapur”. Kanë qenë shumë insistues që të jemi pjesë e kësaj nisme rajonale e cila në thelb është e njëjtë me procesin e Berlinit.

Insistimi amerikan që të jemi pjesë e Ballkanit të hapur është shprehur nga i dërguari i Departamentit të shtetit M.Palmer drejt ministrin të jashtëm të RKS atëkohë, z.Pacolli. Është refuzuar nga kryeministri Haradinaj atëherë sikurse edhe sot nga kryeministri Kurti. Amerikanët kanë insistuar ngase ka qenë e drejtë dhe e pacenueshme shtetësia, ashtu si edhe në procesin e Berlinit. Përkundrazi, pjesëmarrja e Kosovës në forume të tilla e foktorizonte dhe e faktorizon atë. Unë ende nuk e kuptoj pse Kosova e ka refuzuar dhe e refuzon një forum të tillë”, ka shkruar Zyberaj.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button