Lajmet e funditVendi

Hoxhaj: Qeveria Kurti i braktisi qytetarët në krizën me pandeminë

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ka thënë se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte për një diskutim të tillë, sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik.

Ai ka kritikuar Kurtin se i ka braktisur qytetarët në kohën kur ata po ballafaqohen me pandeminë dhe nuk po merret  sigurimin e vaksinave.

Fjalimi i plotë i Hoxhajt:

Të nderuar deputetë

I nderuar kryeministër Kurti, ministra, zonja
dhe zotërinj.

Do të kishte qenë e udhës që Qeveria të na
kishte ftuar neve opozitën në një diskutim të tillë, të hapur.

Sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e
ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh
social e jo politik.

Në një rrafsh real e jo dogmatik. Në një
rrafsh të bashkëpunimit e jo të izolimit.

Nëse për asgjë tjetër, do ta bënte për të na
njoftuar se çka ka ndërmarrë deri me sot për të siguruar vaksinat, si dhe për
të na njoftuar për planin e saj emergjent për vaksinimin e popullsisë.

Do të ishte e udhës që në rast nevoje, edhe të
na kërkonte ndihmë e bashkëpunim, me aq sa kemi potencial e mundësi për ta
ndihmuar.

Por u desh që ne si opozitë, ta ftojmë në këtë
debat qeverinë.

Sepse pas një muaji qeverisje, kryeministri
dhe ministri i shëndetësisë, jo vetëm që kanë dështuar ti sigurojnë vaksinat,
por kanë qenë edhe të papërgjegjshëm e të pa ndërgjegjshëm, përballë pasojave
që pandemia po lë tek qytetarët.

Dhe nuk po flasim më për pasoja dytësore. Po
flasim për humbjen e jetës së qytetarëve tanë.

Prandaj, për PDK-në, nuk ka një moment të dytë
por ky është momenti që t’iu kërkojmë përgjegjësi.

Sepse keni aq shumë përgjegjësi për këtë
situatë, por s’keni ndërmarrë as edhe një veprim konkret për ta menaxhuar atë
siç duhet.

I nderuar kryeministër Kurti.

Ke qenë shumë aktiv në përsiatjet tua gjatë
këtij muaji, por tërësisht pasiv sa i përket përgjegjësive që ke.

Nuk jam këtu që të flas për veprimet tua
politike, për të cilat do të të gjykojnë qytetarët,

por jam këtu për të të thënë se qytetarët që
ti i ke braktisur, sot po ndihen të vetmuar, të braktisur, pa adresë e pa
mbështetje përballë COVIDit.

Sepse ata e kanë parë se qeveria e tyre, ka
prioritete tjera.

Sepse nuk ka ndodhur askund, e më së paku është
dashur të ndodhë tek ne, që kryeministri, shtetasit e të cilit për çdo ditë po
humbin jetën si pasojë e pandemisë,

të merrej me zgjedhjet në një vend fqinj, kur
nuk ka zgjidhur as edhe një çështje elementare që i duhet sot Kosovës dhe
qytetarëve të saj.

Për të qenë konkret, kryeministër, jeni zotuar
se brenda këtij viti do të siguroni vaksinat dhe do të vaksinoni më shumë se
gjysmën e popullit të Kosovës.

Jo vetëm që nuk e keni bërë dhe spo e bëni një
gjë të tillë, por nuk e dimë edhe nëse keni provuar tashmë të flisni me ata që
duhet të flisni për ti siguruar vaksinat.

Po të mos ishte ndihma e shteteve mike, për
juve, as edhe këto 25 mijë vaksinat që tashmë janë dhënë, nuk do të kishin
arritur. Dhe ju e dini shumë mirë.

Jemi vendi i fundit në rajon dhe ndër të
fundit në botë për vaksinimin e popullsisë.

Për një kryeministër të ndërgjegjshëm e të
përgjegjshëm, nuk do të duhej të kishte prioritet më të madh sot për sot, sesa
për ta nxjerrë Kosovën nga kjo hartë e dështimit përballë pandemisë.

Shihni vendet e rajonit. Shihni Shqipërinë që
prinë në Ballkan. Maqedoninë që nuk po i ndalë përpjekjet. Malin e Zi.
Kroacinë.

Vetëm Kosova dhe Bosnja kanë mbetur në këtë
pjesë të Evropës pa siguruar qoftë edhe një vaksinë të vetme.

Kjo e bën dallimin mes asaj që ju ligjëroni se
do të ndodhë, me atë që po ndodhë konkretisht. Këtu po flasin faktet e jo
dogmat.

Ku është përgjegjësia juaj kryeministër?.

Në cfarë frekuence jeni duke operuar, sepse
një e tillë nuk po ju lidhë me realitetin.

Xhipat e blinduar dhe xhamat e errësuar siç
duket ua kanë errësuar edhe pamjen dhe s’po shihni.

As nuk po doni, as nuk po dini. Dhe as që po
provoni të mësoni.

Nëse deri me sot keni dështuar të siguroni
vaksina, së paku do të duhej të na thonit se kur i prisni.

Sepse nëse keni dështuar të siguroni vaksinat,
së paku është dashur t’i kishit përmbyllur negociatat.

Me kë keni folur?

Kur pritet të vijnë vaksinat për 60 % të
popullsisë siç keni premtuar?

Këto nuk janë çështje politike. Këto janë
çështje shtetërore dhe emergjente.

Nuk mund të mashtroni qytetarët me uljen e
testeve e me konferenca shtypi, sepse sot nuk po flasim për statistika por për
jetë njerëzish.

Po flasim për familjarë, prindër, e madje edhe
të rinj në moshë që janë të braktisur dhe s’kanë as shpresë në qeverinë e
vendit të tyre.

Nëse s’janë vaksinat, ku janë masat për ta
mbështetur QKUK-në.

Buxheti është i miratuar. Në vend se ju të
ishit duke zbatuar planin për furnizime me barna e gjëra esenciale, ju as plan
nuk keni bërë akoma.

Keni nisur me deficite absolute, përballjen me
një gjendje që kërkon mobilizim e përkushtim absolut.

Pra, juve ju janë ngatërruar kabllat. Dhe sot
po e shohim në praktikë atë që dikur e thoshit në studio televizive, kur
thoshit se nuk jeni as me Hegelin as me Kantin por diku si në mes.

Përcaktohu për njërin të lutëm, e mos na lë pa
asnjërin, sepse për cilindo që përcaktohesh është më mirë sesa ky mesi yt i pa
definuar e i kotë.

Përcaktohu. Nuk e kuptoj dot se si ju nuk e
kuptoni se me çka po përballen qytetarët e Kosovës dhe s’i po e lexoni ju këtë
përballje.

Ju nuk jeni duke e ditur se lodhja e
qytetarëve me pandeminë, sot ka arritur në përmasa shqetësuese.  Çdo individ e çdo familje që përballet me
virusin, nuk ka aleat tjetër përveç fatit dhe Zotit.

E do të duhej ta kishte edhe qeverinë e
vendit.

Për fund, i nderuar kryeministër Kurti,

Ne nuk ju kemi ftuar në këtë debat për t’iu
thënë këto që po ti themi, por që ju të reflektoni.

Ky nuk është moment dobësie nga ana jote, të
cilin ne po e shfrytëzojmë për të të bërë opozitë.

Ky është moment ftese që ne po të bëjmë, në
mënyrë që ti të reflektosh urgjentisht, e ti lësh pas agjendat e kota dhe të
marrësh përgjegjësitë që të  takojnë.

Sepse do kemi kohë për secilën çështje, por
nuk kemi as edhe një sekond për të humbur në përpjekjen për të siguruar
vaksinat.

Vaksinat nuk janë instrumente e procedura.
Janë mjete që shpëtojnë jetë dhe ne sot jemi pa to.

Prandaj abstenim nga përgjegjësia nuk ka.

Ose merrni përgjegjësitë që ju takojnë ose
hiqni dorë, por popullin mos e merrni në qafë.

Sepse ju i keni braktisur ata, por ne nuk mund t’i braktisim dhe as ata vetë nuk do ta braktisin shpresën së kanë ku të mbështeten e në kë të llogarisin.

Hoxhaj: qeveria kurti i braktisi qytetarët në krizën me pandeminë
Hoxhaj: qeveria kurti i braktisi qytetarët në krizën me pandeminë » lajmet e fundit - arenamedia & production - arenamedialetv

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button