Lajmet e funditVendi

E goditi me grushte një grua në “Interex”, Prokuroria ende s’ka vendosur nëse do të ushtrojë ankesë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka vendosur nëse do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin i akuzuari Feim Berisha ishte dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë për akuzën se në tetor të 2021-ës goditi me grushte në kokë të dëmtuarën në qendrën tregtare “Interex”.

Për Betimin për Drejtësi kjo është konfirmuar nga prokurorja e rastit Rukije Shasivari, e cila ka njoftuar se pasi ta pranojnë vendimin e gjykatës, do të vendosin nëse do të ushtrojnë ankesë në këtë rast.

“Ende nuk e kemi marrë aktgjykimin prej gjykatës, pasi ta marrim do të vendosim”, deklaroi prokurorja Shasivari.

Berisha është dënuar fillimisht me gjashtë muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritej edhe qëndrimi në paraburgim.

Mirëpo, me propozimin e avokates së të akuzuarit Berisha, Teuta Çaushi, dënimi me burgim i është zëvendësuar me dy mijë e 400 euro gjobë.

Tutje, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Rukije Shasivari, i akuzuari Berisha kishte pranuar fajësinë, duke shtuar se ishte penduar për veprimet e tij.

“Pendohem shumë dhe i kërkoi falje nga zemra”, deklaroi Berisha.

Ndryshe, në seancën fillestare të 22 dhjetorit, avokatja Teuta Çaushi e ka kundërshtuar aktakuzën, me arsyetimin se në rastin konkret nuk ka ekzistuar motivi, qëllimi dhe as dashja, në kryerjen e kësaj vepre penale që i vihet në barrë të mbrojturit të saj, Berisha.

Tutje, ajo ka thënë se e gjithë ngjarja ka ndodhur me provokimin hapur të dëmtuarës, pasi sipas saj, i mbrojturi i saj, nuk ka ditur të gjejë zgjidhjen më të mirë, duke u përgjigjur në mënyrë të gabuar, për çka është penduar dhe ndihet fajtor.

Ajo ka thënë se duhet të merën parasysh veprimet e të dëmtuarës e pastaj të pandehurit.

Aktakuza e ngritur më 21 dhjetor 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Feim Berishën se në tetor të këtij viti, brenda qendrës tregtare “Interex”, pas një mosmarrëveshje të atëçastshme verbale me të dëmtuarën Semra Buqinca-Hoxha, në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore, të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim.

Në aktin akuzues thuhet si pasojë e kësaj mosmarrëveshje i akuzuari Berisha me dashje të shkaktimit të lëndimeve trupore e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën Buqinca Hoxha, fillimisht ia ka shtyrë shportën metalike pastaj e ka goditur me të njëjtën në trup, që është mjet i përshtatshëm për lëndime të rënda trupore.

Tutje, thuhet se pasi i njëjti e ka larguar gruan e tij është kthyer dhe e ka goditur me grushte në kokë, me ç’rast tek e dëmtuara ka shkaktuar dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Me këtë, Feim Berisha akuzohej se ka kryer “Lëndim të lehtë trupor”, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo me të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button