Lajmet e funditVendi

“Fluturojnë” çmimet, bëhet thirrje te Qeveria që të reflektojë

Ka disa muaj që çmimet e produkteve të konsumit dhe po ashtu çmimet e shërbimeve të ujit, shërbimi për mbeturinat kanë shënuar rritje, derisa do të rritet së shpejti edhe çmimi i energjisë elektrike, shkruan InLajmi.

E këto çmime po vazhdojnë të “fluturojnë” dita ditës, por jo edhe të ketë ngritje të pagave.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka vendosur që disa nga kategoritë më të ndjeshme në vend të ndihmohen me një përqindje për pagesën e energjisë elektrike.

Por disa qytetarë për Gazetën InLajmi, thonë se rritjen e çmimeve duhet t’i kontrollojë dikush dhe t’i ndalë, në të kundërtën do të ketë krizë.

“Krahasimet mund t’i bëjmë shumë kollaj, nëse me 100 euro që kam blerë ma herët gjëra ushqimore për 5 anëtarë të familjes time për një muaj, sot me këto para mund të them se mundem me shty veç për 10 ditë. Çmimet qysh janë ka rriten po më frikësojnë se ka me pas krizë, të paktën për neve që punojmë në sektorin privat”, tha qytetarja Resmije Behrami.

Njëjtë si ajo, mendon edhe një qytetare tjetër, Verona Hasani

“Avazi i rritjes së çmimeve të gjërave ushqimore po vazhdon, ndërsa nga ky vit do të rriten edhe çmimet e ujit, rrymës, mbeturinave”, tha qytetarja Hasani.

Përveç çmimeve të gjërave ushqimore, nga ky vit kanë paralajmëruar disa nga ndërmarrjet publike se do të rriten edhe çmimet e shërbimeve publike.

“Kompania “Pastrimi” është në diskutim e sipër për rritje të çmimit të faturës së mbeturinave me komunat përkatëse ku kjo kompani kryen shërbimin e largimit të mbeturinave. Ky diskutim është në proces e sipër dhe nëse një gjë e tillë aprovohet, do duhej të ndodhte këtë vit, pra në vitin 2022”, ka bërë me dije Arbnora Ademi, zëdhënëse në ndërmarrjen “Pastrimi”.

Siç njoftoi ajo bëhet fjalë për një rritje të faturës nga 4.60 sa është tani në 6 euro.

“Bëhet fjalë për një rritje simbolike që është e përballueshme për xhepin e secilit klientë”,tha tutje ajo.

Lidhur me këtë çështje për InLajmi kanë folur edhe nga Autoriteti Rregullator për shërbimet e ujit (ARRU), i cili është institucion përgjegjës për caktimin e çmimeve të shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të ndotura në tërë Kosovën.

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka aprovuar tarifat e reja për shërbimet e ujit në periudhën 2022-2024, të cilat do të vlejnë nga 1 janari 2022.

“Konsumatorët shtëpiakë për shërbimet e ujësjellësit nga “KRU Prishtina” për një metër kub ujë deri tani kanë paguar 0.43 euro, kurse konsumatorët komercialë dhe institucionalë 0.69 euro.Tani çmimi është rritur për një cent për metër kub ujë për konsumatorët shtëpiakë dhe tarifa do të jetë 0.44 euro ndërsa për ata komercialë dhe institucionalë çmimi është ulur për 2 centë dhe do të jetë 0.67 euro për metër kub”, ka njoftuar zyrtarja për informim në ARRU, Lule Aliu.

Në anën tjetër zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala i ka thënë Gazetës InLajmi se është bërë aplikimi për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

“Ne kemi bërë aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor, rritja është për 7%, sigurisht kjo nuk do të rregullojë krejt sistemin, mirëpo në mars, prill është shqyrtimi i rregullt, presim me këto parametra që të ketë rritje akoma më të lartë, në prill rritja mund të shkojë deri në 40%”,tha ai.

E lidhur me këtë çështje, kanë folur për InLajmi, edhe nga ndërmarrja “Termokos”.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) si i vetmi autoritet që e rregullon tregun e energjisë në vendin tonë, është përgjegjës edhe për përcaktimin e tarifave të ngrohjes. Ne si ndërmarrje jemi të obliguar që t’ua dërgojmë në vazhdimësi raportet e kostos së prodhimit të energjisë termike, në bazë të të cilave më pas ZRRE i përcakton tarifat e ngrohjes. Pak kohë më parë ZRRE ka miratuar tarifat e energjisë termike për sezonin ngrohës 2021/2022, të cilat janë të njëjta me ato të sezonit të kaluar ngrohës. Pra, nuk ka kurrfarë ndryshimi”,tha zëdhënësja në “Termokos”, Afërdita-Uka-Fejzullahu.

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, në një prononcim për Gazetën InLajmi, rritjen e çmimeve në përgjithësi e ka cilësuar si shkelje të rëndë.

“KEK-u ka paralajmëruar se do të ketë rritje të energjisë elektrike prej 7%, do të ketë rritje të ujit, mbeturinave. Për standardin në vendin tonë do të jetë një situatë e papërballueshme. Këtë e kemi cilësuar si një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Rriten çmimet e nuk rriten rrogat, pensionet, sociali. Kjo është shumë e rëndë dhe po ua rrezikon të drejtën elementare për të jetuar nga puna që e bëjnë”, ka thënë Shala.

E si “shpëtim” të kësaj gjendjeje, Shala tha se do të ishte më së miri që Qeveria e Kosovës të ndihmojë nga rezervat që ka, për familjet e rrezikuara.

“Qeveria duhet të ndërhyjë dhe duke mos lejuar më që të rriten çmimet në masë kaq të madhe që mos me mujt mi përballu”,tha Shala.

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë se ekzekutivi i vendit është dashur të reagojë qysh në fillim kur ka pasur ngritje të çmimit të energjisë dhe produkteve tjera.

“Derisa nuk kemi qeveri të aftë ne do të kemi rritje tash, në mars e pas marsit, derisa nuk kemi rritje pagash 6-7 vitet e fundit, në fakt vlera e çmimeve ka ndikuar në uljen e vlerës reale të pagës”, tha Kaçaniku për Gazetën InLajmi.

Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) për Gazetën InLajmi ka thënë se për rritjen e çmimeve si fillim ka ndikuar pandemia.

“Realisht arsyet janë të shumta, një pjesë lidhet me pandeminë, që lidhen me një pjesë të produkteve, por kryesisht inflamacioni ka shkuar te disa produkte që i ka shkaktuar pandemia. Janë disa arsye por ne po e vërejmë direkt te shporta e konsumatorit, pra janë të lidhura direkt. Vitin tjetër do t’i vuajmë pasojat e këtij inflamacioni. Njëra nga mënyrat që të dilet nga kjo gjendje është që të bëhet rishikimi i pagave në raport me inflacionin dhe të ndikohet që të zbutet kjo dukuri. Për energjinë elektrike të përkrahet prodhuesi, e njëjta edhe te këto shërbimet tjera publike. Rritja e çmimit është evidente dhe nuk do ndalet për një kohë”,tha Rukiqi.

Ndryshe në Kosovë, në 3 mujorin e 2 të vitit 2021, çmimet e prodhimit janë shtrenjtuar për rreth 6.9% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që u publikuan në muajin dhjetor, thuhet se ngritja më e madhe e çmimeve vërehet tek energjia elektrike, gazi dhe furnizimet me ajër të kondicionuar me 17%, prodhimi i metaleve me rreth 12%, prodhimi i mobileve me 9 % dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike me 4.7%.

Ndërkohë, përveç rritjes së çmimeve të prodhimit, Agjencia e Statistikave njoftoi në muajin tetor për një ngritje prej 5.7% të çmimeve të konsumit. Ngritja më e lartë e çmimeve u shënua te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet. Lindita Canolli-Fejzullahi

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button