Lajmet e funditVendi

Dëshmitarja thotë se edhe pse kishte refuzuar ofertën e punës,“Bel Medic International” e kishte përdorur dokumentacionin e saj për licencim

Prishtinë – Një deklarim të tillë dëshmitarja Elmedinë Pllana e ka bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor që po zhvillohet ndaj bashkëpronarëve të poliklinikës “Bel Medic International”, Armend Agani dhe Liljana Smiliq.

Ata po akuzohen për tri vepra penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrimi” dhe veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas dëshmitares Pllana, dokumentacioni i saj i dorëzuar me rastin e aplikimit tek poliklinika “Bel Medic International”, për punësim për pozitën e punës “teknik i stomatologjisë”, ishte përdorur për licencimin e kësaj poliklinike pa dijeninë e saj.

Në pyetjen e prokurores Dulina Hamiti se a kishte aplikuar ndonjëherë për punë në poliklinikën “Bel Medic International”, dëshmitarja tha se kishte aplikuar për pozitën e teknikës së stomatologjisë.

Ajo tha se me rastin e aplikimit i ishte kërkuar kopja e licencës dhe letërnjoftimit, mirëpo nuk ishte njoftuar se për çfarë do të përdoret licenca e saj.

Dëshmitarja Pllana tha se përmes emailit ishte njoftuar se është pranuar në këtë pozitë, mirëpo që një ofertë të tillë e kishte refuzuar për arsye personale.

“A të ka tregu dikush që licenca jote do të përdoret për licencim” ishte pyetja e prokurores ku dëshmitarja deklaroi se nuk është njoftuar asnjëherë për këtë.

Ajo tha se ishte intervistuar nga vet i akuzuari Agani dhe një person tjetër, i gjinisë mashkullore që ka folur në gjuhën serbe, por nuk e di se kush kishte qenë ai dhe se gjatë atij takimi nuk i ishte thënë se licenca e saj do të përdorej për licencimin e poliklinikës.

“A e din cila është bo me licencën tane” ishte pyetja pasuese e prokurores Hamiti,  ku dëshmitarja tha se në fillim nuk e kishte ditur, mirëpo më pas e kishte kuptuar që licenca e saj ishte përdorur për licencimin e poliklinikës.

Dëshmitarja Pllana, në pyetjen e prokurores së a ndihet e dëmtuar, ajo deklaroi se po, ndihet e dëmtuar.

E lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Agani, avokati Artan Qerkini kërkoi nga dëshmitarja të dija se çfarë dëmi kishte pësuar.

“Dëm jo material dhe besoj që është dëm material”, tha ajo duke shtuar se në atë kohë kur e kishte kuptuar se i është keqpërdorur dokumentacioni kishte qenë  e punësuar në një ordinancë tjetër dhe ishte frikësuar se do t’i ndërpritet marrëdhënia e punës.

“A tu ka ndërpre kontrata”, tha avokati ku dëshmitarja tha se nuk i është ndërpre mirëpo është ndjerë e frikësuar.

Në pyetjen e gjykatëses Fatime Dërmaku se çka i është keqpërdorur dhe në çfarë forme, dëshmitarja tha se i është keqpërdorur për licencim të poliklinikës, ajo tha se ka figuruar e punësuar ndonëse ofertën për punë e kishte refuzuar.

Pllana ritheksoi se nuk i ishte komunikuar se licenca e saj do të përdoret për licencim.

“Kom figuru e punësuar kur unë e kom refuzu atë kontratë”, tha dëshmitarja.

Gjykatësja Dërmaku kërkoi nga dëshmitarja të di se a ka kërkuar nga i akuzuari Agani që licenca e saj të mos përdoret për licencim, dëshmitarja tha se intervista nuk ka qenë për t’u diskutuar lidhur me licencën por për kushtet e punës.

“Krejt në rregull, po t’i a i ke thonë mos e përdor licencën teme për licncim”, ishte pyetja pasuese e gjykatëses, ku dëshmitarja tha se kjo është e ditur dhe se atë ditë është diskutuar vetëm për kushtet e punës.

“Ka qenë kontrata e punës dhe dokumentacionet e mia”, tha dëshmitarja duke shtuar se nuk po  e kupton pse është e rëndësishme në këtë seancë kjo çështje.

Lidhur me këtë reagoi gjykatësja Dërmaku, e cila tha se dëshmitarja nuk mund ta mësoj gjykatën se çfarë pyetje të parashtrojë.

“Ti je para gjykatës, t’i nuk je me bo pyetje se unë të bëj pyetje, ki parasysh t’i veç përgjigjesh” tha gjykatësja.

Gjatë këtij diskutimi kërkoi fjalën dëshmitarja Teuta Latifi e cila tha se gjykatësja Dërmaku është e nervozuar.

“Gjykatëse edhe herën kur kam qenë unë dëshmitare ju keni reaguar njëjtë”, tha ajo duke shtuar se gjykatësja është e nervozuar.

“Pse është kaq e nervozuar gjykatësja”, tha dëshmitarja Latifi, duke shtuar se nuk do të duhej të ishte ashtu si gjykatëse me emocione.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button