Lajmet e funditVendi

Delegacioni i Kuvendit mori pjesë në punimet e Sesionit Veror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në përbërje, znj. Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, si dhe deputetët z. Arben Gashi dhe z. Enis Kervan, anëtarë, të shoqëruar nga ambasadorja, znj. Mimoza Ahmetaj, mori pjesë në punimet e Sesionit Veror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për vitin 2021, i cili u mbajt në Strasburg të Francës, nga 21-24 qershor 2021.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë, delegacioni i Kuvendit të Kosovës është takuar me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Rik Daems, Sekretaren e Përgjithshme, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, si dhe kryetarin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KE-së, z. Zsolt Nemeth.

Kryesuesja e delegacionit, nënkryetarja Bogujevci, si dhe dy anëtarët z. Gashi dhe z. Kervan, theksuan se Kosova është e gatshme për të filluar procesin e anëtarësimit në këtë institucion jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Po ashtu delegacioni i Kosovës i njoftoi bashkëbiseduesit se Kosova në Kushtetutën e saj, përveç tjerash, ka të përfshirë edhe instrumentet ndërkombëtare që garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut si: Deklaratën Universale për Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore në Njeriut dhe Protokollet e saj, dhe së fundmi ka ratifikuar edhe Konventën e Stambollit.

Delegacioni i Kosovës ka takuar delegacionet e Shqipërisë, Turqisë, Hungarisë, Greqisë dhe Kroacisë.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare mori pjesë edhe në punimet e sesionit parlamentar, si dhe në trupat punues të këtij institucioni, si në: Komitetin për Politikë dhe Demokraci, Komitetin për Çështje Ligjore dhe Drejta të Njeriut, Komitetin për Migracion, Refugjatë dhe Persona të Zhvendosur si dhe në Komitetin për Kulturë, Shkencë, Edukim dhe Media.

Po ashtu anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, morën pjesë edhe në takimet e grupeve politike të përfaqësuara në Asamble.

Në këto takime u vlerësuan të arriturat e Kosovës nga fusha e drejtave të njeriut, sidomos ratifikimi i Konventës së Stambollit. Delegacioni i Kosovës dhe bashkëbiseduesit u pajtuan që të koordinohen dhe bashkëpunojnë për të gjitha proceset në të ardhmen. ​

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button