Lajmet e funditVendi

Arifi: Serbia fitoi një betejë të vogël, por problemi me targat s’u zgjidh

Profesori i Integrimeve Europiane, Dritëro Arifi, ka thënë se nga situata e krijuar pas vendosjes së reciprocitetit të Kosovës për targat serbe një lloj fitore e korri Serbia.

Ai thotë se megjithatë nuk u zgjidh problemi as me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje, njofton Klan Kosova.

“Në shikim të parë duket baras, por në një këndvështrim tjetër mendoj se është një fitore pak më në favor të Serbisë, jo në kuptimin që ka fituar kushedi se çfarë, por më shumë i ka ushqyer egot nacionaliste që janë edhe në Kosovë edhe në Serbi. Problemi prapë nuk u zgjidh. Nga ajo që kemi parë janë shtuar disa pika nga marrëveshja e vjetër dhe problemi është se ka mbetur shumë e paqartë. Fitorja më e madhe për të dyja vendet është se situata është qetësuar. Por, mos të harrojmë se para disa dite Serbia e ka kërcënuar edhe NATO-n dhe Kosovën. Në këtë farë mes kushtimisht Serbia ka dalë se ka fituar një betejë të vogël, por problemi ende aty ka mbetur”.

“Ka mbetur e paqartë dhe problemi është se si do të implementohet. Pastaj, thuhet se ai grupi punues do t’i ketë diku gjashtë muaj punë, por gjashtë muaj për targa po më duken humbje kohe. Mos të harrojmë se krejt aksioni i Qeverisë së Kosovës nuk është bërë vetëm për targa, por besoj se një qëllim më i madh ka qenë që të arrihet njëfarë presioni t’i bëhet edhe bashkësisë ndërkombëtare që ta vendosi Kosovën në një tavolinë për atë marrëveshjen gjithëpërfshirëse finale. Për fat të keq ky qëllim nuk është arritur për momentin, ndoshta për vitin e ardhshëm do të ketë diçka të tillë”.

Arifi në Info Magazine ka thënë se prapë se prapë po flitet vetëm për Kosovën dhe për çështjet e brendshme të saj, por asnjëherë s’po flitet me Kosovën si palë e barabartë.

“S’jemi të barabartë sepse Serbia po flet për çështje të targave të brendshme të Kosovës”.

Po ashtu, ai thotë se ende mbetet e hapur çështja nëse do të mbulohen targat serbe në veri të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button