Lajmet e funditVendi

Arifi: Kosovën e ka izoluar totalisht BE-ja e jo Serbia

Dritëro Arifi, profesor i integrimeve, ka thënë se Kosovën e ka izoluar Bashkimi Evropian dhe jo Serbia.

“Kosovën e ka izolu totalisht BE-ja jo Serbia. Ne kemi ma shumë problem me BE-në se me Serbinë dhe të hapësh kapituj me Serbinë pa e rregulluar të kaluarën i bie që Bashkimi Evropian nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara e vet”, ka thënë Arifi për Info Magazine.

Sipas Arifit problemi kryesor i Kosovës është Bashkimi Evropian sepse ka hapur kapituj me Serbinë, pavarësisht krimeve që i ka bërë në Kosovë e Bosnjë dhe po ashtu pavarësisht se në kushtetutën e saj është një territor që nuk e kontrollon.

“Problemi kryesor nuk është Serbia por Bashkimi Evropian, pikërisht ky Bashkim Evropian i ka hapur kapitujt me Serbinë, duke e ditur çfarë krimesh ka bërë Serbia jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë, duke e ditur që Serbia e ka në kushtetutë një territor që nuk e kontrollon, kjo është shkelje flagrante e të gjitha parimeve të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian e ka ditur edhe këtë nuk është që s’e ka ditur.. nga ajo që unë e kuptoj politikën e jashtme të Bashkimit Evropian është që Bashkimi Evropian, me vetëdije apo pa vetëdije po prodhon politika pro-ruse dhe anti-amerikane në territorin e Ballkanit duke mos e lëvizur çështjen e integrimit të Kosovës dhe vendeve tjera”, ka shtuar Arifi.

Ai tha se Bashkimi Evropian nuk e dëshiron një Kosovë multi-etnike se, sipas tij, po ta kishte dëshiruar një Kosovë të tillë ata nuk e kishin debatuar çështjen e vizave fare, pasi pikërisht çështja e vizave i integron edhe komunitetin serb dhe të tjerët duke e respektuar institucionin respektivisht pasaportën e Kosovës.

Ndërkaq tha se nuk sheh ndonjë lëvizje pozitive për liberalizimin e vizave për këtë vit, pasi sipas tij kur nuk e ke mbështetjen e një vendi të fuqishëm është shumë e vështirë të arrihet një konsensus.

“Parë nga lëvizjet politike të Bashkimit Evropian, pavarësisht që Franca e merr kryesimin e këshillit të Evropës dyshoj shumë që ka lëvizje pozitive në gjashtëmujorin e parë, pasi edhe në Francë kanë zgjedhjet nacionale dhe presidenciale, kështu që aty do të ketë politika, kalkulime politike në favor të njërës apo tjetrës palë dhe kur nuk e ki një vend të fuqishëm që lobon për ty, atëherë është shumë e vështirë të arrihet një konsensus brenda Bashkimit Evropian sa i përket çështjes së vizave, pasi është një çështje puro politike, sepse një njëfarë mënyre Bashkimi Evropian për shkak të mos qartësisë së vet në politikat e jashtme të organizatës së BE-së e ka dëmtu jashtëzakonisht shumë Ballkanin perëndimor dhe madje edhe Kosovën, sepse ka lanë vend për shumë keqinterpretime”, ka vazhduar ai.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button