Lajmet e funditVendi

Apeli miraton pjesërisht mocionet e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, kërkon nga ZPS version të korrigjuar të aktakuzës

Kolegji i Gjykatës së Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, lidhur me vendimin për mocionet paraprake të mbrojtjes.

Me anë të vendimit, kolegji i Apelit i përbërë nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Kai Amboska, ka urdhëruar panelin përgjegjës për çështjen të drejtojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të paraqesë një version të korrigjuar të aktakuzës në dritën e udhëzimeve të mëposhtme:

“a) hollësitë e mëtejshme në lidhje me identitetin e bashkëkryerësve dhe bashkëpunëtorëve (të paktën, sipas grupit, kategorisë ose përkatësisë, dhe, kur është në dispozicion, me emër) duhet të përfshihen në Aktakuzë në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën pikat 1-3; b)hollësitë e mëtejshme në lidhje me kategoritë e personave të nxitur dhe të ndihmuar duhet të përfshihen në paragrafët 41, 42, 43, 44, 45 dhe 46 të Aktakuzës në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën Pikat 1-3; c)formulimi “dhe / ose” në paragrafët 16, 26, 28, 30, 39 dhe 46 të Aktakuzës duhet të ndryshohet në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën pikën 4; d) fjala “përfshirë” duhet të hiqet nga paragrafët 12, 21 dhe 27 të Aktakuzës dhe formulimi i këtyre paragrafëve duhet të rishikohet në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën pikën 5“, thuhet në vendim të kolegjit.

Ndërkaq, ky kolegj i Apelit ka hudhur poshtë pjesën tjetër të ankesave.

Mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar nga Apeli që të miratojë ankesat e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ndryshe, në vendimin e gjyqtarit paraprak Nicolas Guillou, me anë të së cilit u ishte miratuar kërkesa për apelim, thuhej se mbrojtja ka kërkuar që apelimi i vendimit të bëhet për çështjet vijuese, që u referohen si pesë çështjet.

Pika e parë ishte se nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar, kur ka gjetur se aktakuza e konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e bashkëkryerësve, duke pasur parasysh kërkesën për të dhënë në aktakuzë sa më shumë detaje që është e mundur në lidhje me identitetet e çdo bashkëkryerësi të pretenduar.

Pika e dytë ishte nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar, kur ka gjetur se aktakuza e konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e bashkëpunëtorëve, duke pasur parasysh kërkesën për të dhënë në aktakuzë sa më shumë detaje sa të jetë e mundur në lidhje me identitetin e çdo bashkëpunëtori të pretenduar.

Tutje, mbrojtja pretendonte edhe pikën e tretë, e cila thotë: “Nëse gjykatësi paraprak gaboi në gjetjen se aktakuza e konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e personave të ndihmuar ose të nxitur, duke pasur parasysh kërkesën për të siguruar në aktakuzë sa më shumë detaje të jetë e mundur në lidhje me identitetin e ndonjë personi të ndihmuar ose të nxitur”.

Ndërkaq, pika e katërt e ankesës thoshte: “Nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi në gjetjen se nuk ishte një defekt në aktakuzën e konfirmuar për të përdorur formulën “dhe – ose” për t’iu referuar në mënyrë alternative të akuzuarve, bashkëkryesve pa emër ose bashkëpunëtorëve pa emër, kur i atribuohet veprimeve të pretenduara të ndërmarra, duke pasur parasysh kërkesën që nuk duhet të përdoren formulime që krijojnë paqartësi në lidhje me pretendimin e përgjegjësisë së të akuzuarit”.

Kurse, pika e fundit, ajo e pesta pretendonte: “Nëse aktakuza e konfirmuar është me defekte në atë që pretendon veprime “të panjohura” të cilat pretendohet “mund” të kenë ndodhur afër “të njohurave” veprime të cilat pretendohet se kanë ndodhur, duke pasur parasysh kërkesën që deklaratat e hapura në lidhje me faktet që mbështesin akuzat nuk janë lejohen, përveç nëse ato janë jashtëzakonisht të nevojshme, gjë që nuk është pohuar”.

Në vendim thuhej se gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se pesë çështjet do të ndikonin ndjeshëm në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave, e se nga zgjidhja e menjëhershme nga Gjykata e Apelit në lidhje me to mund të përparojnë materialisht procedurat.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button