Lajmet e funditRajoni

“Mos provokoni”, Turqia kërcënon sërish Greqinë

Turqia vijon retorikën e kërcënimeve kundër Greqisë. Sot ishte Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar, që lëshoi mesazhe të forta paralajmëruese kundër Athinës.

“Fatkeqësisht në Greqi disa politikanë nuk i ndalin veprimet dhe deklaratat që rrisin tensionin. Nga njëra anë, duke provokuar dhe inkurajuar vendet e tjera, ata diskutojnë për aleanca të reja, ndërsa ne jemi edhe në aleancën e NATO-s.

Nga ana tjetër ata kanë një dashuri, një sevda për armatimet. Por nëse ata e bëjnë këtë për të fituar njëfarë supremacie mbi Turqinë, ne e përsërisim se është një përpjekje e kotë”, tha ministri turk.

Hulusi Akar u ndal konkretisht edhe te situata në Qipro.

“Thirrja jonë për dialog, për takim nuk është shenjë dobësie. Ne jemi të aftë dhe të vendosur të mbrojmë interesat dhe të drejtat tona. Edhe në Qipro ekziston realiteti i ekzistencës së turqve dhe nuk ka zgjidhje tjetër pa pranuar këtë realitet. Dhe për shkak se nuk ka ardhur asnjë rezultat nga takimet, ne kemi sqaruar vendimin tonë për dy shtete sovrane të pavarura në Qipro” tha ai.

Më 21 Nëntor një anëtar i komitetit qendror të partisë “AKP” të Erdoganit lëshoi ​​kërcënime lufte kundër Athinës, duke thënë se “Greqia thotë se do të lëshojë raketa. Le të shohim se çfarë ndodh. Pas 5 orësh do të jemi në Selanik. Për 5 orë do të jemi në Athinë. Çfarëdo që të bëjnë” tha ai, shkruan abcnews.al .

Pak ditë më parë këshilltari i Presidentit turk Erdogan, Yiğit Bulut kërcënoi hapur Greqinë. “Nëse struktura perandorake botërore vazhdon të sulmojë kombin e madh turk në çdo fushë, atëherë kombi i madh turk do të kthehet në kufijtë e Betimit Kombëtar” shkroi ai në një postim në Twitter.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button