BotaLajmet e fundit

Tsikhanouskaya bën thirrje për më shumë sanksione ndaj Lukashenkas

Shefja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, i bëri thirrje Perëndimit që të vendos sanksione më të ashpra ndaj qeverisë së Alyaksandr Lukashenkas.

Sipas saj, ato janë mënyra e vetme për të dëmtuar regjimin aurotitar të sunduesit të Bjellorusisë.

“Mund ta bllokojmë këtë regjim në aspektin ekonomik në mënyrë që ai të mos mund të paguajë policinë dhe ushtrinë”, tha Tsikhanouskaya në një intervistë ekskluzive të dhënë në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht të vitit 2020, Tsikhanouskaya u largua nga Bjellorusia dhe shkoi në Lituani pasi kishte shqetësime për sigurinë e saj dhe të familjes.

Pas zgjedhjeve shpërthyen protesta pasi fitues u shpall Lukashenka, por opozita thotë se ato u fituan nga Tsikhanouskaya.

Pasojat për vëllezërit Kariq nga sanksionet kundër Lukashenkas
Lukashenka 66-vjeç, i cili ka drejtuar vendin që nga vitit 1994, u akuzua nga opozita dhe vendet perëndimore për mashtrim të gjerë të votuesve.

Që nga ajo kohë autoritetet e sigurisë kanë arrestuar dhjetëra mijëra protestues dhe aktivistë të opozitës. Disa protestues janë vrarë derisa organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ka prova për tortura kundër disa prej të arrestuarve.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera kanë refuzuar të njohin Lukashenkan si udhëheqësin legjitim të Bjellorusisë dhe kanë vendosur sanksione ndaj tij dhe disa zyrtarëve të lartë bjellorusë.

Thirrjet për sanksione shtesë janë shtuar pasi muajin e kaluar, Lukashenka urdhëroi që një aeroplan i Ryanair që po fluturonte nga Greqia për në Lituani, të devijojë fluturimin dhe të ulet në aeroportin e Minskut. Autoritetet e sigurisë pastaj e arrestuan gazetarin dhe aktivistin e opozitës, Raman Pratasevich dhe të dashurën e tij.

Në intervistën për REL-in Tsikhanouskaya shprehu optimizëm se në atdheun e saj ndryshimi demokratik do të ndodhë së shpejti.

Ajo gjithashtu u zotua se do të vazhdojë me përpjekjet e saj që situata në Bjellorusi të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button