BotaLajmet e fundit

Mes tensioneve, ShBA-ja kritikon planin rus për bllokimin e Detit të Zi

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka cilësuar si “përshkallëzim të paprovokuar” planet e Rusisë për bllokimin e disa pjesëve të Detit të Zi, në atë që do ta bllokonte qasjen drejt porteve të Ukrainës mes tensioneve të rritura shkaku i manovrave ushtarake të Moskës në rajon.

SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë kanë shprehur shqetësime lidhur me grumbullimin e forcave ushtarake ruse dhe drojën se Moska mund të jetë duke e planifikuar pushtimin e Ukrainës, rreth gjashtë vjet pas aneksimit të Krimesë.

Mediat ruse kanë raportuar se Moska synon që t’i mbyllë pjesët e Detit të Zi për ushtritë e huaja dhe anijet zyrtare për një afat prej gjashtë muajsh, duke i bllokuar kësisoj portet ukrainase në Detin Azov, që lidhet me Detin e Zi nëpërmjet Ngushticës Kerch.

Tensionimet e fundit kanë ndodhur në kohën kur ambasadori amerikan në Moskë ka njoftuar kthimin në SHBA për konsultime, disa ditë pasi që Qeveria ruse e rekomandoi largimin e tij prej vendit.

Largimi i John Sullivanit do t’i linte ambasadat e të dyja vendeve pa kryediplomatë në një moment kyç. Kur Uashingtoni ka zbatuar sanksione të reja ndaj Moskës shkaku i shtimit të pranisë ushtarake në Ukrainë dhe shqetësimeve rreth shëndetit të opozitarit, Alexei Navalny, në burgim.

Rusia e kishte tërhequr ambasadorin e saj nga Uashingtoni, pasi që gjatë muajit mars, presidenti amerikan, Joe Biden, e kishte cilësuar si “vrasës” shefin e shtetit rus, Vladimir Putin. Tensionet në rajonin kufitar midis Rusisë dhe Ukrainës janë rritur aq shumë, saqë kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josef Borrell, ka theksuar se mjafton vetëm një “shkëndijë” e vetme për ta ndezur një konflikt.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button