BotaLajmet e fundit

SPD mund partinë e Merkelit me rezultat të ngushtë

Partia Social-Demokrate (SPD) e qendrës së majtë, ka fituar zgjedhjet federale në Gjermani, duke mposhtur partinë e kancelares në shkuarje, Angela Merkel, sipas rezultateve preliminare.

SPD ka siguruar 25.7 për qind të votave, derisa blloku konservator i Merkelit, Demokrisian/Kristian-Social (CDU/CSU), ka siguruar 24.1 për qind.

Partia e Gjelbër ka shënuar rezultatin më të mirë në historinë e partisë, duke u renditur e treta me 14.8 për qind të votave.

Një koalicion është i domosdoshëm për të krijuar qeverinë.

Lideri i SPD-së, Olaf Scholz, njëherësh zëvendës-kancelar në shkuarje dhe Ministër i Financave, ka thënë më herët se partia e tij ka mandat të pastër për të udhëhequr, ndërkohë që partia e tij është nisur drejt numrave të parë në listë.

Sondazhet kanë parashikuar një garë të nxehtë, mirëpo këto zgjedhje kanë qenë të paparashikueshme.

Një gjë është e qartë se, kancelarja në shkuarje nuk do të shkojë askund derisa të formohet qeveria – dhe kjo gjë mund të vonohet deri në kohën e Krishtlindjes.

Detyra e pasardhësit të Merkelit është që të udhëheqë ekonominë më të madhe në Evropë në katër vitet e ardhshme, derisa edhe ndryshimet klimatike janë në krye të agjendës.

Scholz i ka thënë një audience televizive se votuesit i kanë dhënë atij detyrën e “formimit të një qeverie të mirë dhe pragmatike për Gjermaninë”.

Kandidatët për kancelar të Gjermanisë (nga e majta): Olaf Scholz (SPD), Annalena Baerbock (Partia e Gjelbër) dhe Armin Laschet (CDU). Shtator 2021.

Teksa Merkel do të pensionohet nga politika pas 16 vjetëve në pushtet, partia e saj konservatore është përballur me rezultatin më të keq në zgjedhjet paralamentare në historinë e saj 76-vjeçare.

Armin Laschet, kandidati për kancelar nga CDU/CSU, dhe kryetari aktual i landit North Rhine-Westphalia, ka thënë se rezultati ka qenë zhgënjyes mirëpo ai ende mund të tentojë të formojë qeverinë e ardhshme.

“Nuk ka qenë gjithmonë partia e parë që ka zgjedhur kancelarin”, ka thënë Laschet.

Përtej partive të mëdha, dita e zgjedhjeve nuk ka qenë me sukses të konsiderueshëm për të majtën radikale dhe atë të së djathtës ekstreme.

Partia e krahut të majtë, Die Linke, mund edhe të mos jetë më në parlament, nëse rezultati i saj zgjedhor bie nën 5 për qind.

Ndonëse partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, duket se ka shënuar ulje në nivel kombëtar, ajo ka dalë partia më e madhe në landet gjermane, Saksoni dhe Turingia.

Alternativa për Gjermaninë do të hyjë në parlament, pasi ka fituar 10.3 për qind të votave, mirëpo të gjitha partitë e mëdha kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me të.

Dalja në zgjedhje ka qenë e lartë, 76.6 për qind.

Fushata është dominuar nga çështje si ndryshimet klimatike, pensionet, taksat, dhe paga minimale.

Çështje tjera të mëdha përfshijnë çmimin e lartë të banesave, edukimi, kujdesi shëndetësor dhe migrimi.

Politika e jashtme ka qenë farë pak çështje e diskutueshme në fushatën e dominuar nga çështje të brendshme.

Secili kandidat që bëhet kancelar, do të duhet të udhëheqë Gjermaninë dhe Evropën në një seri krizash.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button