BotaLajmet e fundit

Rusia nis një ekuipazh drejt hapësirës për realizimin e filmit të parë në orbitë

Për herë të parë në histori, Rusia do të nisë një aktor dhe një regjisor filmi në hapësirë ​​për të bërë një film artistik në orbitë, një projekt që shefi kombëtar i hapësirës e ka përshëndetur si një shans për të rritur prestigjin e programit hapësinor të Rusisë.

Aktorja Yulia Peresild dhe regjisori Klim Shipenko do të nisen të martën për në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar në një anije kozmike ruse “Soyuz” së bashku me kozmonautin Anton Shkaplerov, një veteran i tre misioneve hapësinore. Pas 12 ditësh në hapësirë, Peresild dhe Shipenko do të kthehen në Tokë me një tjetër kozmonaut rus.

Ekuipazhi planifikon të filmojë segmente të një filmi të ri të titulluar “Sfida”, që flet për një kirurg të cilit i kërkohet të shkojë në stacionin hapësinor për të shpëtuar një anëtar të ekuipazhit i cili vuan nga një sëmundje e zemrës, shkruan News.cgtn.com.

Duke folur në një konferencë shtypi në objektin e lëshimit rus në Baikonur, Kazakistan, Peresild pranoi se trajnimi për misionin ishte rraskapitës, por e përshkroi atë si një mundësi që të vjen një herë në jetë.

“Është një mrekulli, një shans i jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo.

“Ne kemi punuar vërtet shumë dhe jemi vërtet të lodhur, edhe pse qëndrojmë në humor të mirë dhe buzëqeshim. Ishte e vështirë psikologjikisht, fizikisht dhe moralisht. Por unë mendoj se sapo të arrijmë qëllimin, gjithçka do të duket jo aq e vështirë dhe ne do ta kujtojmë me një buzëqeshje”, u shpreh aktorja 37-vjeçare.

Regjisori 38 vjeçar, Klim Shipenko, ka bërë disa filma të suksesshëm komercialë, duke përfshirë “Kholop”, ose “Serf”, një film i vitit 2019 që vendosi një rekord rus. Ai gjithashtu e përshkroi stërvitjen si të vështirë.

“Sigurisht, ne nuk mund të bënim shumë gjëra në përpjekjen e parë, dhe nganjëherë edhe në një përpjekje të tretë, por është normale”, ka thënë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button