BotaLajmet e fundit

Hulumtim shkencor: Varianti Delta është më rezistent ndaj një doze të vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca

Që nga përhapja e SARS-CoV-2, që filloi në Kinë në Dhjetor të vitit 2019, mutacionet gjenetike të virusit krijuan variante të ndryshme të cilat “sillen më ndryshe” se paraardhësit e tyre.

Kur një virus infekton një qelizë dhe pastaj riprodhohet duke përdorur mekanizmin e qelizës, mund të ndodhin gabime. Me kalimin e kohës, këto gabime mund të gjenerojnë mutacione në materialin gjenetik të virusit.

Në rastet kur virusi ka një ose më shumë mutacione që e modifikojnë atë, shfaqet një variant. Variantet e reja mund të jenë më infektive dhe më rezistente ndaj vaksinave.

Disa ndryshime në proteinat që formojnë tipin e virusit mund të ndikojnë në zhvillimin e antitrupave pas një infeksioni ose në mënyrën se si një vaksinë e neutralizon atë.

Ndër variantet e reja SARS-CoV-2, lloji Delta u identifikua në Indi në Tetor të vitit 2020.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ai më pas u përhap me shpejtësi dhe tashmë është paraqitur në 111 shtete të ndryshme të botës.

Në një punim të fundit të botuar në Nature, Schwartz dhe kolegët e tij nga Instituti Pasteur në Francë, shqyrtuan “reagimin” e variantit të ri – Delta ndaj vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca.

Studiuesit izoluan një mostër të variantit nga një udhëtar që kthehej nga India. Ata analizuan reagimin në 109 pacientë të infektuar me llojin e parë të SARS-CoV-2 dhe në 59 që morën dozën e parë të vaksinave. Gjetjet e tyre treguan se antitrupat e pranishëm tek njerëzit me një infeksion të mëparshëm ose nga vaksinat nuk mund të synonin dhe neutralizonin variantin Delta, që do të thotë se ato ishin më pak efektive kundër këtij lloji të ri.

Analiza gjenetike e variantit Delta tregon se ai përmban nëntë mutacione të reja, duke përfshirë shtatë në gjenet që kodifikojnë për pjesë të ndryshme të proteinës spike që lejon virusin të hyjë në qeliza.

Meqenëse antitrupat kundër virusit njohin proteinën spike, mutacionet mund ta bëjnë virusin më rezistent, duke shmangur mundësinë e identifikimit dhe shënjestrimin nga vaksinat.

Schwartz dhe kolegët e tij zbuluan se ndonëse një dozë e vaksinës nuk ishte e mjaftueshme për të neutralizuar llojin Delta, marrja e dy dozave tregoi një efektivitet prej 95%.

Ata gjithashtu zbuluan se vaksinimi i njerëzve që më parë ishin të infektuar me variantin Alpha ishte më efektiv kundër variantit Delta.
Për më tepër, reagimi i tyre imunitar ishte edhe më i lartë se mesatarja.

Varianti i ri Delta duket të jetë më infektiv dhe të përhapet me më shpejtësi në krahasim me variantin Alpha.
Pavarësisht nga këto rezultate, studiuesit treguan se vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca ishin efektive nëse mirren me dy doza.

Marrë nga: UNITED ACADEMICS MAGAZINE, By: Sofia Polcownuk
Përkthyer nga: Shkendije Berisha

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button