BotaLajmet e fundit

Si funksionon modeli gjerman kundër variantit Omicron

Të martën, më 28 dhjetor, në Gjermani hynë në fuqi kufizimet e reja me qëllimin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe në veçanti të variantit Omicron, rastet e të cilit u rritën me 45 për qind brenda një dite.

Rregullat e reja ndalojnë personat e vaksinuar dhe ata që janë shëruar nga Covid-19 të marrin pjesë në festa apo takime që kalojnë mbi 10 persona. Qëllimi i këtyre kufizimeve, të cilat i shtohen atyre në fuqi që nga fundi i nëntorit është të zvogëlojnë shanset për t’u infektuar gjatë festimeve të fundvitit.

Prej disa javësh Gjermania po përmendet si një “model” i mirë në menaxhimin e kësaj faze të re të pandemisë. Pas një piku të rasteve të reja pozitive nga fundi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit, me rreth 60 mijë infeksione të reja në ditë, të dhënat në fakt janë përmirësuar me mesatarisht 23 mijë raste të reja në ditë gjatë javës së fundit.

Në përgjithësi, Gjermania ka përparuar në parandalimin e pandemisë në krahasim me disa javë më parë dhe në gazeta është folur për një lloj “bllokimi për gjermanët e pavaksinuar”.

Që nga fillimi i dhjetorit në Gjermani është në fuqi rregulli “2G” ( nga “geimpft, genesen” ose i “vaksinuar, i shëruar”), sipas të cilit vetëm personat e vaksinuar ose të kuruar nga Covid-19 lejohen të futen në restorante, bare, hotele, teatro, kinema, festa dhe në shumicën e dyqaneve. Të pavaksinuarit mund të hyjnë vetëm në dyqane që shesin gjëra bazike si supermarketet, farmaci dhe librari.

Rregulli 2G nuk parashikon të ketë përjashtime për ata që kanë rezultuar negativ në testin e koronavirusit, përveç rasteve të veçanta shëndetësore. Përveç 2G-së, rregulli 3G për transportin publik zbatohet edhe në Gjermani; ky rregull parashikon që jo vetëm të vaksinuarit dhe të shëruarit mund të udhëtojnë, por edhe personat që kanë rezultuar së fundi negativ për koronavirus. Çdo qytetari i jepet mundësia të marrë një test të shpejtë falas në javë. Rregulli 3G është i ngjashëm me “Green Pass-in”.

Rregulli 3G është i detyruar të ndiqet nga çdo person që shkon në punë.

Futja e sistemit 2G në Gjermani ka ndihmuar në uljen e numrit të rasteve të reja me koronavirus, veçanërisht pas shtimit të rasteve në fund të nëntorit dhe në fillim të muajit dhjetor dhe sipas të dhënave të publikuara, deri më tani, ky sistem ka arritur të mbajë nën kontroll përhapjen e variantit Omicron.

Të dhënat zyrtare të publikuara të martën raportuan 3.218 raste të reja me Omicron të zbuluara në 24 orët e fundit, një rritje prej 45 për qind krahasuar me një ditë më parë. Numri i përgjithshëm i rasteve me Omicron i zbuluar deri më tani ka qenë 10 mijë e 443, por virusi vazhdon ende të përhapet me shpejtësi.

Përveç kufizimeve, qeveria gjermane po përpiqet të rifillojë fushatën e vaksinimit, rezultatet e së cilës deri më tani kanë qenë nën pritshmëritë. Rreth 70 për qind e popullsisë ka përfunduar pjesën e parë të ciklit të vaksinimit. Vaksinimi me dozën përforcuese filloi pak më me vonesë, por gjithsesi po vazhdon dhe mendohet se do të luajë një rol pozitiv kundër variantit të ri Omicron.

Javën e kaluar, kancelari gjerman Olaf Scholz, kujtoi se: Përvojat e dy viteve të fundit kanë treguar se Krishtlindjet dhe Pashkët nuk ndikuan në shtimin e rasteve të reja me koronavirus. Megjithatë, qeveria gjermane nuk përjashton mundësinë e përdorimit të kufizimeve më të ashpra ose një bllokim të përgjithshëm, në rast të një përkeqësimi të situatës së pandemisë.

Parlamenti po diskuton edhe njëherë idenë nëse vaksinimi duhet të jetë i detyrueshëm për qytetarët.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button