LajmeVendi

Ish-ushtarakët: Shërbimi ushtarak i obligueshëm s’është urgjencë, ka kosto të lartë

Shërbimi ushtarak i obligueshëm, të cilin
kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka paralajmëruar se do ta jetësojë gjatë
qeverisjes së tij, po konsiderohet i mirëseardhur, por në të njëjtën kohë edhe
si panevojshëm dhe mision i pamundur.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, ish-komandanti
i UÇK-së, Nuredin Ibishi, në një intervistë për Ekonomia
Online se duhet të jetësohet shërbimi ushtarak i obligueshëm.

Ndërkaq, ish-komandanti i FSK-së, Kadri
Kastrati, po e konsideron si të panevojshëm dhe mision të pamundur.

Ky i fundit, ka thënë për Ekonomia Online,
se nëse Kosova synon të anëtarësohet në NATO, atëherë nuk është urgjencë
shërbimi i obligueshëm.

“Shërbimi ushtarak për Kosovën është i
nevojshëm, por i pamundur. Po thuajse i gjithë buxheti i Kosovës do duhej të
shpenzohet vetëm për fushën ushtarake, duke mos përfshirë fushat tjera, siç
është shëndetësia, arsimi e shumë të tjera dhe unë mendoj se për momentin është
i panevojshëm dhe nëse ne investojmë në ngritje të kapaciteteve të planifikuara
ushtarake për Kosovën, të cilat janë studiu që të 8 mijë trupa mjaftojnë që t’i
përmbushin misionet e FSK-së”.

“E shoh të paarsyeshme për momentin
sepse ne synojmë që të hyjmë në NATO dhe kjo është një prej qëllimeve të
Kosovës që të jetë pjesë integruese e NATO-s dhe nëse hyjmë edhe ne në NATO siç
janë disa vende, atëherë nuk e shoh një urgjencë të tillë me e përmbush nevojat
e mbrojtjes dhe sigurisë të Kosovës”, ka thënë ai.

Kastrati rekomandon në vend të shërbimit
ushtarak, kjo çështje të futet si lëndë joobligative nëpër fakultete shtetërore
dhe private.

“Shembull i kemi Shtete e Bashkuara të
Amerikës (ShBA), ku të rinjtë shkojnë vikendeve nëpër kazerma dhe kryejnë
trajnime të ndryshme, pastaj familjarizohen me armë, kanë dy ose tri qitje me
armë e kështu me radhë, dhe kjo gjë do të mjaftonte që të rinjtë ta marrin
njohuri bazike ushtarake dhe unë jam që të fusim si lëndë joobliguese por që të
kenë ligjërata nëpër fakultete shtetërore dhe private, që ta kenë një edukim
përgjithshëm ushtarak dhe kjo është e mjaftueshme për fillim dhe nuk është e
kushtueshme”, ka thënë Kastrati.

Por ndryshe po mendon njohësi tjetër i
sigurisë, Nuredin Ibishi. Ky i fundit e sheh si jetike shërbimin ushtarak në
Kosovë.

Madje, sipas tij, duke parë rreziqet dhe
kërcënimet rajonale, si dhe ato globale nga terrorizmi, por edhe nga tensionet
që vijnë nga Rusia, e detyron Kosovën ta shtyejë përpara këtë proces.

“Duke u bazuar në rreziqet dhe kërcënimet
e reja të paparashikueshme dhe veprimet e organizatave terroriste të cilat janë
tash të mundura në fushëbeteja dhe realisht që janë duke vepruar në vendin e
prejardhjes dhe me kapacitetet e tashme që i ka FSK-ja dhe që është në
transformimin e plotësimit të strukturës që do të jetë brenda dhjetë vitesh, ku
afro pesë mijë forca aktive dhe tre mijë rezervë, mendoj se është e
pamjaftueshme ky vlerësim. Gjithashtu është rrezik i veçantë edhe ndikimi rus
në rajon”.

“Mendoj se ne duhet ta rikthejmë në
sistem edhe pas programit të kryeministrit Kurti që të shikojmë për mundësinë e
futjes në sistem të detyrimit ushtarak tre mujor, siç kanë shumë vende dhe ato
që kanë rikthyer, sidomos vendet skandinave, vendet baltike por edhe vendet
tjera”, ka thënë Ibishi.

Por shërbimi ushtarak ka edhe implikime
financiare, ku sipas Ibishit, duhet të rregullohen edhe aspektet
infrastrukturore dhe kadrovike.

“Sistemi i detyrimit ushtarak ka edhe
implikime financiare dhe në aspekte kadrovike, infrastrukturore që për një afat
të shkurtër nuk munden të bëhen. Realisht duhet një kohë e gjatë të bëhet. Pra
kjo nuk mund të bëhet për disa ditë por brenda dy-tri vitesh do të jemi në
gjendje me krijimin e në të gjitha aspektet, si ato financiare, të personelit
dhe infrastrukturore”, ka thënë Ibishi.

Ibishi vlerëson që shërbimi i obligueshëm
ushtarak mund të krijojë mundësitë për rigjenerimin e kuadrove profesionale të
Forcës së Sigurisë së Kosovës.

E për këtë, ai thotë se duhet të gjendet
një model i një shteti që është i përafërt me madhësinë e Kosovës.

“Ka shumë modele, ne duhet të gjejmë
një model të një shteti që është i përafërt me madhësinë e Kosovës dhe ne të
shohim sesi ai sistem i atij shteti po funksionon”.

“Kjo duhet të bëhet me baza
vullnetare, me mundësi të zgjedhjes së kohës kur ata e kryejnë atë detyrim
ushtarak dhe normalisht se ai obligim të konvertohet në trajnime të vazhdueshme
javore brenda vitit me qëllim se ata të ricertifikohen për përdorim të armës
dhe teknologjisë së re që janë shumë të nevojshme në FSK. Diçka e rëndësishme
është edhe rifreskimi i Forcave Profesionale të FSK-së me kuadro të reja që
janë me profile të ndryshme që vijnë nga struktura civile”, u shpreh Ibishi.

Kryeministri Albin Kurti, në rezymenë e planit qeverisë që paraqiti para deputetëve, ditë kur morri detyrën si kreu i Qeverisë, shërbimin ushtarak të obligueshëm e përmendi si një ndër pikat kryesore të programit. 

Burimi: Ekonomia Online

Tags

Leave a Reply

Related Articles

Back to top button
Close
Close